Ceremonia e certifikimit të mësimdhënësve për të rritur në programin për zhvillim profesional “Curriculum globALE”

Më datë 26.11.2025, në ambientet e Fakultetit të Edukimit të Universitetit të Prishtinës, u mbajt ceremonia e certifikimit të pjesëmarrësve në Programin për Zhvillim Profesional të Mësimdhënësve në Shërbim: “Kurrikula globale për mësimin dhe edukimin e të rriturve – Curriculum globALE”. Ky program, i akredituar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), implementohet nga Instituti për Hulumtime dhe Zhvillim të Arsimit (IHZHA) në kuadër të Fakultetit të Edukimit të Universitetit të Prishtinës, dhe financohet e mbështetet nga DVV International në Kosovë..

“Curriculum globALE” është program global i zhvilluar me standarde ndërkombëtare, i dizajnuar për të mbështetur edukatorët e të rriturve në përmirësimin e praktikave të tyre pedagogjike, zhvillimin e kompetencave profesionale dhe aplikimin e metodave bashkëkohore të mësimdhënies.

Përmes pesë moduleve kryesore që përfshijnë qasjet teorike dhe praktike në Arsimin e të Rriturve nga kuptimi i andragogjisë, të nxënit e të rriturve, komunikimi dhe dinamika e grupit, metodat e mësimdhënies, e deri te planifikimi dhe vlerësim, pjesëmarrësit kanë fituar njohuri të thella dhe aftësi të zbatueshme në punën e tyre të përditshme.

Ceremonia shënoi arritjet e 15 pjesëmarrësve që kishin ndjekur këtë trajnim, të cilët gjatë procesit demonstruan profesionalizëm, reflektim dhe gatishmëri për të kontribuar në zhvillimin e arsimit për të rritur në Kosovë.

Përfaqësues të Fakultetit të Edukimit, AAAPARr dhe DVV International vlerësuan përkushtimin e pjesëmarrësve dhe theksuan rolin kyç të programit Curriculum globALE në rritjen e cilësisë së arsimit për të rritur dhe fuqizimin e edukatorëve si aktorë të rëndësishëm të ndryshimit.

Në këtë rast, Prof. Naser Zabeli vuri në dukje se puna e pavarur dhe reflektimi i pjesëmarrësve kontribuojnë drejtpërdrejt në avancimin e praktikave mësimore, ndërsa znj. Fikrije Zymberi, Drejtoreshë e AAAPARr, përgëzoi pjesëmarrësit për përfundimin e pesë moduleve dhe nënvizoi rolin e këtij trajnimi në rëndësinë e arsimit gjatë gjithë jetës.

Tutje, Z. Ramadan Alija, Drejtor i DVV International në Kosovë, theksoi përkushtimin e organizatës ndaj zhvillimit të arsimit për të rritur dhe rëndësinë e programit ‘Curriculum globALE’, i cili implementohet në Kosovë që nga 2015, duke nënvizuar strukturën e qëndrueshme të Fakultetit të Edukimit për trajnimin e trajnerëve dhe rrjetin profesional që do të ofrojë këto trajnime edhe në të ardhmen

Znj. Blerta Perolli, Prodekane e Fakultetit të Edukimit, vuri në pah rëndësinë e institucionalizimit të programit brenda Fakultetit, duke vlerësuar kontributin e profesorëve dhe rolin e trajnimit si bazë për ngritjen e standardeve arsimore dhe zhvillimin profesional të edukatorëve në Kosovë.

Çdo pjesëmarrës u pajis me certifikatë që dëshmon përfundimin me sukses të programit, duke u njohur zyrtarisht si profesionistë të trajnuar sipas standardeve të Curriculum globALE. Ky certifikim përfaqëson një vlerësim të rëndësishëm të punës së tyre dhe një motivim për të aplikuar njohuritë e fituara në institucionet ku veprojnë.

DVV International në Kosovë, në partneritet me institucionet vendore, mbetet e përkushtuar në avancimin e arsimit për të rritur dhe në përgatitjen e profesionistëve që kontribuojnë në përfshirjen sociale, zhvillimin ekonomik dhe fuqizimin e komunitetit.