DVV International në Kosovë

Zyra e DVV International në Kosovë punon në fushën e arsimit që nga viti 2005. Qëllimi i organizatës është të ndërtohet një sistem efikas dhe efektiv i arsimit për të rritur.
Sipas regjistrimit të popullsisë të përfunduar më 24 maj 2024, Kosova ka 1,6 milion banorë, me një moshë mesatare prej 35 vjeç, duke e renditur atë si vendin e dytë me popullsinë më të re në Evropë. Të dhënat demografike tregojnë se 66.1% e popullsisë është e moshës 15-64 vjeç, ndërsa shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore për këtë grupmoshë është 40.7%, me 59.3% të popullsisë që mbetet ekonomikisht joaktive. Shkalla e papunësisë ka shënuar një përmirësim të ndjeshëm, duke rënë në 10.7% në vitin 2023(Agjencia e Statistikave të Kosovës). Pavarësisht këtyre ndryshimeve pozitive, Kosova vazhdon të përballet me sfida ekonomike, me një pjesë të konsiderueshme të popullsisë që jeton nën vijën kombëtare të varfërisë.
Në Kosovë, shumë nga të papunët nuk kanë shkathtësitë e nevojshme për të pasur një mundësi në tregun e punës. Për këtë arsye, DVV International punon me partnerët lokalë për të përmirësuar dhe zgjeruar ofertat për arsimin për të rritur, duke u fokusuar edhe në grupet e synuara. Grupet e posaçme të synuara janë gratë nga zonat rurale, personat me aftësi të kufizuara dhe pakicat etnike.
Së bashku me partnerë të ndryshëm, në vitet e fundit DVV International ka lansuar dhe ka nisur një numër iniciativash të rëndësishme për krijimin e kornizave të përmirësuara politike dhe ligjore për arsimin për të rritur në vend. Këto përfshijnë në veçanti Ligjin për Arsimin për të Rritur, Ligjin për Arsimin dhe Aftësimin Profesional dhe "Plani Strategjik i Arsimit në Kosovë 2022 - 2026".
Fokusi kryesor i punës së DVV International në Kosovë
Përfshirja e Arsimit për të Rritur (ARr) në politikat kombëtare dhe lokale, siç janë: strategjitë shtetërore dhe lokale të arsimit, si dhe hartimi apo rishikimi i legjislacionit përkatës për ARr në nivel lokal dhe kombëtar në Republikën e Kosovës.
Zhvillimi i ARr përmes avokimit, lobimit dhe rrjetëzimit kombëtar e ndërkombëtar me organizatat relevante shtetërore, shoqërinë civile dhe OJQ-të vendore në Kosovë.
Trajnimi i qëndrueshëm i specialistëve të ARr, sigurimi i cilësisë në këtë fushë dhe hapja e zhvillimi i qendrave të reja me qasje holistike për ARr, bazuar në përvojën e shkollave popullore gjermane (VHS).
Rritja e numrit të ofertave dhe shërbimeve cilësore për ARr (ALE), bazuar në nevojat e individëve dhe komuniteteve përkatëse në Republikën e Kosovës.