Inaugurimi i Qendrës për Arsimin dhe Edukimin e të Rinjve dhe të Rriturve në Vushtrri

Më 10 qershor 2025, u inaugurua Qendra për Arsimin dhe Edukimin e të Rinjve dhe të Rriturve (Youth and Adult Learning and Education Centre – YALEC) në Vushtrri. Lansimi i kësaj qendre u bë i mundur falë bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Komunës së Vushtrrisë, DVV International dhe OJQ-së 'Hareja', dhe përfaqëson një model bashkëkohor të arsimit joformal, të orientuar drejt nevojave të të rinjve dhe të rriturve.

Në këtë ceremoni morën pjesë përfaqësues të institucioneve lokale, qendrore dhe ndërkombëtare, përshirë Ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci, Kryetarin e Komunës së Vushtrrisë, z. Ferit Idrizi, Ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, z. Jörn Rohde, si dhe përfaqësues nga Universiteti "Isa Boletini" në Mitrovicë, prof. asoc. dr. Faton Merovci.

Hapjen e ceremonisë e bëri z. Bajrush Kosumi, drejtor i OJQ-së Hareja, i cili shprehu mirënjohje ndaj Komunës së Vushtrrisë dhe DVV International për mbështetjen në realizimin e këtij projekti.

Më pas u prezantua një video që pasqyronte rrugëtimin dhe përgatitjet që çuan drejt hapjes së qendrës.

Në fjalën e saj, ministrja Arbërie Nagavci theksoi rëndësinë e të mësuarit gjatë gjithë jetës dhe përkushtimin institucional për arsimin e të rriturve. Ajo vlerësoi kontributin 20-vjeçar të DVV International në këtë fushë, duke theksuar rolin e saj në përmbushjen e objektivave të Strategjisë së Arsimit 2022–2026, veçanërisht në rritjen e cilësisë së arsimit për të rritur. Inagurimi i Qendrës YALEC në Vushtrri u cilësua si një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të një sistemi të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës të arsimit për të gjithë qytetarët, pavarësisht moshës apo sfondit arsimor.

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, z. Ferit Idrizi, theksoi rëndësinë e arsimit formal dhe joformal, me theks të veçantë në arsimin për të rritur. Ai nënvizoi se komuna ka nevojë për zhvillimin profesional të kapaciteteve të të rinjve dhe se kjo qendër do të ofrojë trajnime të ndryshme, të cilat do t’i përgatisin qytetarët për sfidat e tregut të punës.

Ambasadori Jörn Rohde e përshëndeti hapjen e Qendrës YALEC në Vushtrri, duke e cilësuar atë si një shembull të shkëlqyer të bashkëpunimit të suksesshëm ndërmjet shoqërisë civile, institucioneve vendore dhe partnerëve ndërkombëtarë. Ai potencoi se arsimi shërben si një mjet thelbësor për fuqizimin e individëve në pjesëmarrjen demokratike, punësim dhe inovacion. Gjithashtu, ai vlerësoi angazhimin e vazhdueshëm të DVV International në mbështetjen e arsimit për të rritur që nga viti 2005, si dhe kontributin e Qeverisë Gjermane në fuqizimin e këtij sektori.

Ndërkaq, z. Ramadan Alija, udhëheqës i zyrës së DVV International në Kosovë, theksoi përkushtimin e organizatës për të mbështetur të mësuarit gjatë gjithë jetës. Ai bëri të ditur se kjo është qendra e tretë holistike e hapur sipas modelit të shkollave popullore gjermane, pas atyre në Prizren dhe Pejë, dhe ka për synim të promovojë përfshirjen e gjerë dhe ofrimin e mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët.

Po ashtu, prof. asoc. dr. Faton Merovci nga Universiteti “Isa Boletini” përmendi rëndësinë që ka kjo qendër, sidomos për motivimin e qytetarëve të margjinalizuar që të rikthejnë dëshirën për të mësuar dhe të ndërtojnë një të ardhme më të mirë.

Kjo qendër shënon një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një shoqërie më të përgatitur, të barabartë dhe të angazhuar, ku çdo qytetar ka mundësi të zhvillohet dhe të kontribuojë në komunitetin e tij. Me mbështetjen e partnerëve lokalë dhe ndërkombëtarë, Qendra YALEC në Vushtrri synon të krijojë një mjedis frymëzues për mësimin e vazhdueshëm dhe fuqizimin e qytetarëve.

 

OHENI NGA DVV INTERNATIONAL
Njoftim me rëndësi: Nëse klikoni në këtë link, do të largoheni nga faqja e internetit të DVV International. DVV International nuk është përgjegjës për përmbajtjen e faqeve të internetit të palëve të treta që mund të qasen përmes linkave. DVV International nuk ka asnjë ndikim në të dhënat tuaja personale në të cilat të tjerët kanë qasje dhe/ose të cilat procesohen në ato faqe të internetit. Për më shumë informata, luteni ta rishikoni politikën e privatësisë së ofruesit të jashtëm të kësaj faqeje të internetit.