Kosova pjesë e Forumit Profesional të Evropës Lindore për Arsimin dhe Edukimin e të Rriturve

Përfaqësues nga Kosova morën pjesë në Forumin Profesional të Evropës Lindore për Arsimin dhe Edukimin e të Rriturve (Adult Learning and Education – ALE), i cili u mbajt nga 16 deri më 18 qershor 2026 në Podgoricë, Mal të Zi. Forumi mblodhi ekspertë, studiues, përfaqësues të universiteteve, organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve relevante nga gjashtë vende të Evropës Lindore dhe Juglindore: Armenia, Bosnja dhe Hercegovina, Gjeorgjia, Kosova, Moldavia dhe Ukraina.

Forumi kishte për qëllim forcimin e kapaciteteve profesionale të pjesëmarrësve për analizimin e sistemeve kombëtare të arsimit dhe edukimit të të rriturve, si dhe nxitjen e shkëmbimit të përvojave dhe praktikave të mira ndërmjet vendeve pjesëmarrëse. Aktiviteti shënoi fillimin e një procesi të strukturuar pune, përmes të cilit grupet kombëtare do të analizojnë sfidat, prioritetet dhe mundësitë për zhvillimin e mëtejshëm të arsimit të të rriturve në vendet e tyre.

Në këtë forum, Kosova u përfaqësua nga z. Ramadan Alija, Udhëheqës i Zyrës së DVV International në Kosovë; znj. Ryve Prekorogja, Udhëheqëse e Sektorit për Arsimin tërëjetësor në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASh); prof. dr. Teuta Danuza, Profesoreshë në Fakultetin e Edukimit, në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe eksperte në fushën e arsimit; si dhe z. Granit Brajshori, Menaxher i Projekteve në Qendrën për Arsim të Kosovës (KEC).

Gjatë forumit, përfaqësuesit e Kosovës prezantuan gjendjen aktuale të sektorit të arsimit të të rriturve në vend, duke vënë në pah arritjet e viteve të fundit, por edhe sfidat që vazhdojnë të ndikojnë në zhvillimin e këtij sektori. Diskutimet u fokusuan në rëndësinë e mësimit gjatë gjithë jetës, përmirësimin e qasjes në mundësi arsimore për të rriturit, forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe zhvillimin e politikave që i përgjigjen nevojave të tregut të punës dhe zhvillimit social.

Pjesëmarrësit patën mundësinë të marrin komente dhe rekomandime nga ekspertë ndërkombëtarë, si dhe të kontribuojnë në hartimin e një kornize të përbashkët analitike që do të përdoret për vlerësimin e sistemeve kombëtare të arsimit të të rriturve në rajon. Gjithashtu, gjatë diskutimeve tematike u trajtuan trendet dhe zhvillimet aktuale në nivel evropian, duke përfshirë promovimin e mësimit gjatë gjithë jetës, përfshirjen sociale, zhvillimin e aftësive dhe rolin e arsimit të të rriturve në përballimin e sfidave ekonomike dhe demografike.

Për Kosovën, pjesëmarrja në këtë forum paraqet një mundësi të rëndësishme për të forcuar analizën e politikave dhe praktikave ekzistuese në fushën e arsimit të të rriturve, si dhe për të identifikuar prioritete konkrete për zhvillimin e mëtejshëm të sektorit. Në kuadër të këtij procesi, grupi kombëtar i punës do të vazhdojë analizën e sistemit të arsimit të të rriturve në Kosovë, duke identifikuar sfidat kryesore dhe duke formuluar rekomandime që mund të kontribuojnë në avancimin e politikave dhe praktikave në këtë fushë.

Rezultatet e këtij procesi do të prezantohen në një takim përmbyllës online me aktorë të ndryshëm të arsimit të të rriturve dhe politikëbërës, ndërsa prioritetet e identifikuara do të shërbejnë si bazë për planifikimin e mëtejshëm të aktiviteteve dhe ndërhyrjeve në nivel kombëtar.

Pjesëmarrja e Kosovës në këtë nismë rajonale dëshmon përkushtimin e vazhdueshëm të institucioneve dhe organizatave partnere për të promovuar mësimin gjatë gjithë jetës dhe për të forcuar rolin e arsimit të të rriturve si një faktor kyç për zhvillimin social, ekonomik dhe demokratik të vendit.