Nga data 28 prill deri më 30 prill 2026, në Stamboll, Turqi, u mbajt Akademia Rajonale e të Rinjve për Arsimin dhe Edukimin e të Rriturve (ALE), e organizuar nga DVV International në kuadër të projektit “Continental Exchange” (Programi i Shkëmbimit Ndërkontinental), në bashkëpunim me European Association for the Education of Adults (EAEA).
Në këtë aktivitet morën pjesë 20 profesionistë të rinj nga organizata të shoqërisë civile (shoqata, rrjete, qendra të ALE-së, etj.) nga gjashtë vende: Kosova, Bosnja dhe Hercegovina, Armenia, Gjeorgjia, Ukraina dhe Moldavia.
Nga Kosova morën pjesë: znj. Raisa Nurkovic, drejtoreshë në OJQ “Mladi Volonteri” në Pejë; znj. Mevlude Pacolli, asistente projekti në DVV International në Kosovë; dhe z. Valmir Malakaj, trajner në OJQ THY/YALEC Prizren.
Gjatë aktivitetit u trajtuan tema kyçe që mbulojnë aspekte të ndryshme të arsimit për të rritur (ALE), duke filluar nga konceptet bazë, qëllimet dhe funksionet e tij, deri te format e të nxënit formal, joformal dhe informal.
Një fokus i rëndësishëm iu kushtua rolit të arsimit për të rritur në shoqëri, veçanërisht lidhjes me demokracinë dhe edukimin qytetar, si dhe reflektimit mbi praktikat ekzistuese dhe sfidat kryesore në këtë fushë. Programi përfshiu gjithashtu mënyrën se si mësojnë të rriturit, duke u bazuar në qasje teorike dhe praktike bashkëkohore, me qëllim zhvillimin e një kuptimi më gjithëpërfshirës të ALE-së.
Gjithashtu, u analizua ekosistemi i ALE-së, duke përfshirë aktorët kryesorë, grupet e synuara dhe partneritetet në nivele të ndryshme bashkëpunimi. Në këtë kuadër u trajtuan edhe kornizat evropiane të politikave, trendet aktuale dhe drejtimet strategjike në zhvillimin e sektorit.
Në nivel global, u diskutuan kornizat ndërkombëtare të ALE-së, përfshirë rolin e UNESCO dhe Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDGs) të United Nations, si dhe ndikimi i zhvillimeve globale në politikat dhe praktikat e arsimit për të rritur.
Akademia ndihmoi pjesëmarrësit të kuptojnë më mirë qëllimin e arsimit për të rritur, mënyrën e të nxënit të të rriturve, si dhe funksionimin e ofruesve të arsimit, duke reflektuar njëkohësisht edhe ndikimin e sistemeve, politikave dhe financimit në këtë fushë. Po ashtu, u krijua hapësirë për reflektim mbi sfidat e përbashkëta në rajon, veçanërisht lidhur me njohjen dhe mbështetjen e pamjaftueshme të ALE në nivel institucional dhe politik.
Pjesëmarrja e Kosovës në këtë Akademi ishte një mundësi e rëndësishme për zhvillim profesional, shkëmbim përvojash dhe forcim të bashkëpunimit rajonal në fushën e arsimit për të rritur. Kjo përvojë pritet të kontribuojë në forcimin e kapaciteteve profesionale dhe në avancimin e praktikave në këtë fushë në vend, duke mbështetur mësimin gjatë gjithë jetës dhe përfshirjen sociale.