Pjesëmarrja e përfaqësuesve nga Kosova në ngjarjet vjetore të Shoqatës Evropiane për Arsimin e të Rriturve (EAEA)

Më 9–10 qershor 2026, përfaqësues nga Kosova morën pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Shoqatës Evropiane për Arsimin e të Rriturve (EAEA), Ceremoninë e Ndarjes së Çmimit Grundtvig dhe Konferencën Vjetore të EAEA-së, të mbajtura në Varshavë, Poloni. Këto ngjarje mblodhën edukatorë, politikëbërës, studiues dhe përfaqësues të organizatave të arsimit të të rriturve nga e gjithë Evropa për të diskutuar zhvillimet më të fundit dhe prioritetet e këtij sektori.

Pjesëmarrës në këto ngjarje nga Kosova ishin: z. Ramadan Alija, udhëheqës i Zyrës së DVV International në Kosovë; znj. Endrita Mehmeti, menaxhere në OJQ THY–YALEC Prizren; z. Vullnet Gusia, menaxher në YALEC Pejë; dhe z. Blerim Zymberi, menaxher në YALEC Vushtrri.

Me këtë rast, Këshilli i Veprimit Rinor Lokal Pejë (KVRL Pejë – YALEC Pejë) dhe OJQ Hareja (YALEC Vushtrri) u pranuan zyrtarisht si anëtare të Shoqatës Evropiane për Arsimin e të Rriturve (EAEA), duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit dhe përfaqësimit të sektorit të arsimit të të rriturve nga Kosova në nivel evropian.

Tema e këtij viti, “Qëndrueshmëria dhe Ndërtimi i Komuniteteve”, vuri në fokus rolin e arsimit të të rriturve në forcimin e solidaritetit, pjesëmarrjes qytetare dhe ngritjen e kapaciteteve të komuniteteve për t’u përballur me sfidat bashkëkohore. Gjatë Asamblesë së Përgjithshme të EAEA-së, pjesëmarrësit diskutuan çështje kyçe që ndikojnë në zhvillimin e arsimit të të rriturve në Evropë, si dhe prioritetet strategjike të rrjetit për periudhën e ardhshme.

Ceremonia e Çmimit Grundtvig prezantoi projekte dhe iniciativa frymëzuese nga vende të ndryshme evropiane, duke vënë në pah shembuj konkretë të mënyrës se si arsimi i të rriturve mund të nxisë përfshirjen sociale, qytetarinë aktive dhe fuqizimin e komuniteteve.

Në kuadër të Konferencës Vjetore të EAEA-së, pjesëmarrësit diskutuan mënyrat se si arsimi i të rriturve kontribuon në forcimin e qëndrueshmërisë individuale dhe shoqërore, promovimin e mësimit gjatë gjithë jetës dhe rritjen e angazhimit qytetar. Konferenca shërbeu gjithashtu si një platformë për shkëmbimin e përvojave, krijimin e partneriteteve të reja dhe identifikimin e praktikave të suksesshme në kontekste të ndryshme kombëtare.

Përfaqësuesit nga Kosova shfrytëzuan këtë mundësi për të prezantuar përvojat dhe zhvillimet në fushën e arsimit të të rriturve në vend, si dhe për të forcuar bashkëpunimin me partnerë evropianë. Pjesëmarrja në këto ngjarje kontribuon në avancimin e arsimit të të rriturve në Kosovë, forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe promovimin e mësimit gjatë gjithë jetës.