Vizitë studimore e delegacionit nga Kosova në Shkollat Popullore (Volkshochschulen – VHS) në Hessen, Gjermani

Nga 9 deri më 11 dhjetor 2025, DVV International në Kosovë organizoi vizitë studimore në Shkollat Popullore Gjermane (Volkshochschulen – VHS) në shtetin e Hessenit, Gjermani. 

Në këtë vizitë morën pjesë përfaqësues nga institucionet publike si; Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Agjencia për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsimin e të Rriturve (AAAPAR), Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës (APRK), Instituti Pedagogjik i Kosovës (IPK), përfaqësues nga Komuna e Pejës dhe Vushtrrisë, si dhe përfaqësues nga Qendra për Arsim e Kosovës (KEC), Kolegji Europian i Kosovës (ECK), OJQ THY/YALEC Prizren, KVRL /YALEC Pejë dhe OJQ Hareja/YALEC Vushtrri.

Qëllimi kryesor i vizitës ishte njohja me modelet gjermane të funksionimit të Shkollave Popullore dhe partneriteteve të tyre me komunat, me theks në arsimin joformal dhe mësimin gjatë gjithë jetës. Pjesëmarrësit u njohën me qeverisjen dhe bashkëpunimin komunal, sigurimin e cilësisë, zhvillimin e programeve për aftësi bazike, edukimin qytetar dhe digjital, menaxhimin e burimeve, si dhe përfshirjen e komunitetit dhe ndërtimin e partneriteteve me institucionet dhe shoqërinë civile.

Delegacioni vizitoi institucione kyçe si Asociacionin e Shkollave Popullore të Hessen-it (Hessischer Volkshochschulverband) dhe Shkollën Popullore Gjermane (VHS Frankfurt am Main), ku pjesëmarrësit u informuan mbi qeverisjen në arsimin joformal, sigurimin e cilësisë, zhvillimin e programeve dhe bashkëpunimin me komunitetin dhe institucionet partnere.

Aktivitetet filluan me një shkëmbim mbi objektivat e delegacionit, i ndjekur nga prezantimi i punës strategjike të Asociacionit të Shkollave Popullore të Hessen-it nga Dr. Christoph Köck, Drejtor i Asociacionit, së bashku me z. Steffen Wachter dhe znj. Marta Slusarek. Ata prezantuan rolin e Bordit Shtetëror të Kujdestarisë, Ligjin për Arsimin e Vazhdueshëm të Hessen-it, si dhe modelet e financimit dhe menaxhimit të projekteve. 

Në VHS Frankfurt am Main, drejtori Daniel Dejanovic prezantoi integrimin komunal, modelet e financimit dhe sigurimin e cilësisë. Ndërkohë, znj. Afrodita Woyna nga Departamenti për Kohezion Social prezantoi konceptin e arsimit gjithëpërfshirës dhe të bazuar në komunitet, ndërsa znj. Laura Gevorgyan nga Departamenti për Punë dhe Karrierë prezantoi modelin TUMO Center dhe ndërlidhjen e tij me nevojat e tregut të punës dhe edukimit qytetar.

Prezantimet tematike nga përfaqësuesit nga Kosova sollën perspektiva institucionale dhe përvoja konkrete nga terreni. znj. Ryve Prekorgja, Udhëheqëse e Divizionit për Mësim gjatë Gjithë Jetës në MASHTI, prezantoi kuadrin institucional dhe zhvillimet kryesore në fushën e arsimit të të rriturve në vend, ndërsa znj. Endrita Mehmeti, Menaxhere në OJQ THY / YALEC Prizren, ndau përvojën dhe programet e YALEC Prizren. Z. Vullnet Gusia, Drejtor i Departamentit të Rinisë në Komunën e Pejës, paraqiti shembuj konkretë të implementimit të arsimit joformal në YALEC Pejë, ndërsa z. Blerim Zymberi, Menaxher në YALEC Vushtrri, prezantoi aktivitetet dhe praktikat e qendrës.

Pjesëmarrësit fituan njohuri të thelluara mbi modelet gjermane të arsimit joformal dhe identifikuan praktikat më të suksesshme që mund të adaptohen në Kosovë. Vizita mundësoi bashkëpunim dhe shkëmbim përvojash ndërmjet institucioneve kosovare dhe gjermane, duke krijuar baza për projekte të reja dhe iniciativa praktike në fushën e trajnimeve. Pjesëmarrësit konceptuan ide dhe plane konkrete për përmirësimin e ofertave të arsimit joformal dhe mësimit gjatë gjithë jetës në qendrat YALEC dhe komunat pjesëmarrëse, duke forcuar gjithashtu partneritetet ndërinstitucionale midis Kosovës dhe Hessenit.

Në përfundim, vizita studimore shërbeu si një platformë e rëndësishme reflektimi dhe bashkëpunimi për avancimin e arsimit joformal në Kosovë. Komunat pjesëmarrëse shprehën gatishmëri konkrete për të mbështetur qendrat YALEC përmes përkrahjes infrastrukturore dhe burimeve njerëzore, ndërsa u theksua nevoja për formalizimin e rrjetit ALE NK si një strukturë bashkëpunimi për arsimin e të rriturve dhe për aplikimin në projekte të reja. Po ashtu, u nënvizua rëndësia e sensibilizimit të institucioneve qendrore dhe lokale, si dhe e donatorëve publikë dhe privatë, për të siguruar qëndrueshmëri financiare afatgjatë për qendrat YALEC. Në këtë proces, DVV International mbetet një partner kyç në mbështetjen e zhvillimit të politikave, fuqizimin e kapaciteteve institucionale dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërkombëtar, duke kontribuar në ndërtimin e një sistemi funksional dhe të qëndrueshëm të arsimit joformal dhe mësimit gjatë gjithë jetës në Kosovë.