Nga data 10 deri më 14 nëntor 2025, DVV International në Kosovë mirëpriti znj. Katrin Denys, Drejtoreshë Rajonale e DVV International për Evropën Juglindore dhe Shtetet e Kaukazit.
Qëllimi i vizitës ishte njohja më e afërt me zhvillimet në fushën e arsimit të të rriturve në Kosovë, projektet aktuale të DVV International, si dhe bashkëpunimin me partnerët lokalë, qendrorë dhe ndërkombëtarë që kontribuojnë në zhvillimin e mësimit gjatë gjithë jetës në vend.
Gjatë qëndrimit pesëditor, znj. Denys, e shoqëruar nga udhëheqësi i zyrës së DVV International në Kosovë, z. Ramadan Alija, zhvilloi një sërë takimesh me institucione qeveritare, organizata partnere dhe përfaqësues lokalë. Vizita nisi me një takim me stafin e DVV International, ku u shqyrtuan prioritetet strategjike dhe planet e ardhshme të organizatës.
Më pas, znj. Denys u prit nga Ministrja në detyrë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci, me të cilën u diskutua për rezultatet e bashkëpunimit ndërmjet MAShTI dhe DVV International, si dhe për mundësitë për fuqizimin e arsimit për të rritur në Kosovë. Ministrja Nagavci vlerësoi kontributin e DVV International në themelimin e tri qendrave me qasje holistike në Prizren, Pejë dhe Vushtrri, që po funksionojnë me sukses në partneritet me institucionet komunale dhe organizatat lokale.
Bashkëpunimi mes DVV International dhe MAShTI në fushën e arsimit të të rriturve do të thellohet përmes hartimit të Strategjisë së re 2027–2031, përditësimit të legjislacionit për arsimin e të rriturve, fuqizimit të Rrjetit ALE NK dhe zhvillimit të një sistemi të menaxhimit të të dhënave, me qëllim përmirësimin e këtij sektori kyç.
Po ashtu, znj. Denys zhvilloi takime me prof. dr. Blerim Saqipin, Dekan i Fakultetit të Edukimit, për të diskutuar zbatimin e Curriculum globALE në trajnimet e edukatorëve për të rritur; si dhe me znj. Fikrije Zymberin, Drejtoreshë e AAAPARr, me të cilën u shkëmbyen praktika dhe zhvillime të rëndësishme për këtë sektor.
Një takim i rëndësishëm u mbajt edhe me z. Daniel Alker, Shef i Departamentit për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim në Ambasadën Gjermane, ku u trajtuan projektet aktuale dhe mundësitë për bashkëpunime të reja në mbështetje të arsimit joformal në Kosovë.
Gjatë vizitave në terren, znj. Denys u takua me zyrtarë të lartë komunal në Vushtrri, Pejë dhe Prizren, duke u njohur nga afër me aktivitetet, rezultatet dhe planet zhvillimore të Qendrave për Arsimin dhe Edukimin e të Rinjve dhe të Rriturve (YALEC).
Në Vushtrri, ajo vizitoi OJQ-në “Hareja”, qendrën YALEC Vushtrri dhe Komunën e Vushtrrisë. Ajo u njoh nga afër me aktivitetet aktuale të qendrës dhe me draft-planin e vitit 2026, ndërsa me Drejtorin e Arsimit, z. Albanez Tahiraj diskutoi për mundësitë e bashkëpunimit në zhvillimin e arsimit joformal në nivel lokal.
Në Pejë, znj. Denys u prit nga OJQ KVRL Peja dhe YALEC Peja. Gjatë takimeve u prezantuan rezultatet e arritura deri më tani, programet për vitin e ardhshëm dhe mundësitë për të forcuar bashkëpunimin ndërinstitucional. Ajo gjithashtu, u takua edhe me Drejtoreshën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, znj. Xhenet Syka Kelmendi, me të cilën u diskutua për zhvillimin e mësimit gjatë gjithë jetës në nivel komunal.
Në Prizren, znj. Denys vizitoi ambientet e OJQ THY, në kuadër të së cilës funksionon YALEC Prizren, ku u njoh me programet edukative, qasjen gjithëpërfshirëse dhe planet zhvillimore të qendrës. Më pas, ajo vizitoi Qendrën për Aftësim Profesional (QAP) dhe u takua me drejtorin, z. Sinan Gashi, për të diskutuar rolin e qendrës në zhvillimin e aftësive profesionale dhe mundësitë e bashkëpunimit mes YALEC Prizren dhe QAP Prizren.
Vizita përfundoi në zyrën e DVV International në Prishtinë, me takime pune mbi planin afatgjatë të organizatës dhe mundësitë për partneritete të reja kombëtare e ndërkombëtare.
Prania e znj. Katrin Denys në Kosovë shënoi një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit rajonal dhe thellimit të mbështetjes së DVV International për zhvillimin e arsimit cilësor për të rritur në vend.