Më 22 dhe 23 dhjetor 2025, Rrjeti për Arsimin e të Rriturve në Kosovë (ALE NK), me mbështetjen e DVV International, organizoi punëtori dyditore me qëllim diskutimin rreth formalizimit të rrjetit ALE NK, harmonizimi i aktiviteteve të tij me legjislacionin dhe strategjitë kombëtare për arsimin e të rriturve, si dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe shoqërisë civile.
Në punëtori morën pjesë anëtarët e Rrjetit ALE NK, përfaqësues të institucioneve publike dhe të organizatave anëtare, duke përfshirë Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Agjencinë e Punësimit të Republikës së Kosovës (APRK), Institutin Pedagogjik të Kosovës (IPK), Kolegjin Europian të Kosovës (ECK), Këshillin e Veprimit Rinor Lokal Pejë / YALEC Pejë dhe OJQ Hareja / YALEC Vushtrri.
Punimetet e kësaj punëtorie, u moderuan nga znj. Ryve Prekorogja, Udhëheqëse e Bordit Drejtues të ALE NK, e cila prezantoi hapat e ndërmarra deri tani dhe theksoi rëndësinë e krijimit të një strukture funksionale dhe të qëndrueshme të rrjetit ALE NK. Gjatë punëtorisë u diskutuan rekomandimet e ekspertëve të angazhuar nga DVV International mbi legjislacionin aktual dhe mundësitë për regjistrimin e rrjetit si shoqatë, si dhe sfidat ligjore dhe organizative për përfshirjen e institucioneve publike.
Një pjesë e rëndësishme u përqendrua në dakordimin e organizatave anëtare për nënshkrimin e Aktit të Themelimit të ALE NK, dokument kyç për regjistrimin zyrtar. U diskutuan kriteret për përzgjedhjen e Bordit Drejtues dhe për emërimin e Drejtorit/es së ri, i/e cili/a do të udhëheqë rrjetin pas regjistrimit dhe funksionalizimit të plotë. U përfshinë gjithashtu modalitetet e përfaqësimit të institucioneve, duke kërkuar analiza ligjore për mënyrat e përfshirjes së tyre në rrjet.
Në ditën e dytë, fokusi u zhvendos në Planin Vjetor për vitin 2026. U prezantuan prioritetet dhe aktivitetet e planifikuara nga anëtarët e rrjetit dhe partnerët institucionalë, duke përfshirë hulumtime dhe analiza, trajnime, zhvillim kapacitetesh, aktivitete të qendrave YALEC, si dhe mbështetjen e vazhdueshme të DVV International. U theksua rëndësia e koordinimit dhe bashkëpunimit ndërmjet të gjithë akterëve për rritjen e ndikimit të ALE NK në nivel kombëtar.
Punëtoria u mbyll me përmbledhjen e përfundimeve kryesore dhe dakordimin për hapat e ardhshëm drejt regjistrimit zyrtar, funksionalizimit institucional dhe zhvillimit të qëndrueshëm të Rrjetit ALE NK.
Pas përfundimit të punëtorisë, anëtarët e Rrjetit ALE NK realizuan një vizitë në Qendrën TUMO në Tiranë, një model bashkëkohor dhe inovativ i edukimit joformal, i cili ofron mundësi zhvillimi për të rinjtë dhe të rriturit në fusha të teknologjisë, kreativitetit dhe shkathtësive digjitale.
Programet e saj përfshijnë fusha si programimi, dizajni grafik, animacioni, robotika, zhvillimi i lojërave dhe mediat digjitale, duke kontribuar drejtpërdrejt në zhvillimin e kompetencave të nevojshme për tregun modern të punës.
Kjo vizitë ishte e rëndësishme për shkëmbimin e praktikave të mira dhe për të parë modele të reja të mësimdhënies dhe fuqizimit të të rinjve, të cilat mund të aplikohen edhe në fushën e Arsimit të të Rriturve (ARr) në Kosovë, duke kontribuar në zhvillimin e aftësive dhe kapaciteteve të të rriturve në mënyrë inovative dhe bashkëkohore.