Punëtoria e Rrjetit ALE NK: Planifikimi Strategjik dhe Formalizimi i Rrjetit

Më 24–25 mars 2026, në Hotel Sirius në Prishtinë, u mbajt punëtoria dyditore e Rrjetit joformal për Arsimin dhe Edukimin e të Rriturve në Kosovë (ALE NK).

Në këtë punëtori morën pjesë gjithsej 11 pjesëmarrës, prej të cilëve 8 ishin anëtarë të Bordit Drejtues të rrjetit joformal në Kosovë – ALE: Ministrina e Arsimit dhe Shkencës (MASH), Ministria e Rinisë dhe Sportit (MRS), Agjencia për Arsimin dhe Aftësimin Profesional dhe Arsimin e të Rriturve (AAAPARr), Agjencia e Punësimit të Republikës së Kosovës (APRK), DVV International në Kosovë, OJQ HAREJA, Qendra për Arsim e Kosovës (KEC), si dhe Kolegji Evropian i Kosovës (ECK).

Qëllimi i punëtorisë ishte dakordimi final ndërmjet institucioneve dhe organizatave anëtare për mënyrën dhe formën e formalizimit dhe regjistrimit të Rrjetit ALE NK, si dhe përditësimi i Statutit dhe rregulloreve të brendshme, të cilat janë thelbësore për funksionimin e rrjetit.

Gjatë ditës së parë, organizatat anëtare prezantuan aktivitetet dhe projektet e tyre aktuale, si dhe planet për vitin 2026. Diskutimet u fokusuan në shkëmbimin e informatave mbi zhvillimet aktuale në fushën e arsimit të të rriturve, koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta dhe shqyrtimin e zhvillimeve politike dhe strategjike në këtë fushë.

Gjatë ditës së dytë, punëtoria u zhvillua përmes metodave interaktive, duke përfshirë prezantime nga përfaqësues institucionalë, diskutime të hapura dhe shkëmbim përvojash ndërmjet pjesëmarrësve. Një sesion informues ligjor online u mbajt nga eksperti Agron Hajdari, i cili prezantoi rekomandimet e dalura nga analiza e legjislacionit aktual dhe sqaroi procedurat ligjore dhe hapat konkretë për regjistrimin e rrjetit. Shumica e anëtarëve të Bordit Drejtues të ALE NK ranë dakord që Rrjeti ALE NK të regjistrohet si një asociacion i organizatave anëtare të rrjetit dhe të mbajë emrin dhe shkurtesën aktuale (ALE NK), të cilën e ka edhe tani.

Punëtoria përfshiu gjithashtu shqyrtimin dhe përditësimin e draft Statutit dhe rregulloreve të brendshme. Përmes një procesi bashkëpunues dhe gjithëpërfshirës, dokumentet u përditësuan në përputhje me kërkesat ligjore dhe nevojat e rrjetit.

Në përfundim, u arrit dakordim për hapat kryesorë drejt formalizimit dhe regjistrimit të rrjetit, dokumentet u përgatitën për rishqyrtim përfundimtar, dhe u përcaktuan hapat e ardhshëm për fillimin e procedurave të regjistrimit. 

Kjo punëtori përbën një hap të rëndësishëm drejt funksionalizimit të plotë të Rrjetit ALE NK dhe forcimit të bashkëpunimit ndërmjet akterëve në fushën e arsimit dhe edukimit të të rriturve në Kosovë.