Java e të Mësuarit Gjatë Gjithë Jetës në Kosovë 2025

Nga data 24 deri më 27 nëntor 2025, u zhvillua me sukses Java e të Mësuarit Gjatë Gjithë Jetës (JMGJJ) në disa komuna të Kosovës. E organizuar nga Rrjeti për Arsimin e të Rriturve – ALE NK, në bashkëpunim dhe me mbështetje nga DVV International në Kosovë. Kjo javë mobilizoi institucione qendrore dhe lokale, organizata të shoqërisë civile, ofrues të trajnimeve dhe qytetarë nga komuna të ndryshme të vendit, duke promovuar kulturën e të nxënit si proces i vazhdueshëm gjatë gjithë jetës. Gjatë katër ditëve, më shumë se 40 institucione dhe organizata nga e gjithë Kosova prezantuan programe edukativo - arsimore për qytetarët e të gjitha moshave.

Java nisi më 24 nëntor me ceremoninë e hapjes në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, ku përfaqësues nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) dhe DVV International theksuan rëndësinë e krijimit të mundësive të barabarta arsimore për qytetarët e të gjitha moshave. Pas hapjes zyrtare, sheshi u mbush me stenda informuese të ofruesve arsimorë, OJQ-ve dhe institucioneve vendore, të cilët prezantuan programe, trajnime profesionale për zhvillimin e aftësive. Në aktivitet morën pjesë institucione të rëndësishme si Qendra e Aftësimit Profesional (QAP) – Prishtinë, Qendra e Kompetencës (QK) “Shtjefën Gjeçovi” – Prishtinë, Instituti Pedagogjik i Kosovës (IPK), DVV International dhe platforma EPALE Kosovo.

Në të njëjtën ditë, aktivitetet promovuese u zhvilluan edhe në Prizren, në Sheshin e “Dëshmorëve”, ku OJQ THY /YALEC Prizren, së bashku me Qendrën e Kompetencës “11 Marsi”, Qendrën e Kompetencës dhe Qendrën e Aftësimit Profesional-QAP Prizren, prezantuan programe që mbështesin arsimin joformal dhe shpërndanë materiale informuese për qytetarët.

Ndërkohë, në Pejë, në Sheshin “Skënderbeu”, qytetarët patën mundësinë të njiheshin me ofertat e shumta arsimore dhe profesionale të institucioneve dhe organizatave lokale, përfshirë Këshilli i Veprimit Rinor Lokal - KVRL Pejë/YALEC Pejë, QAP Pejë, Institucioni i Arsimit dhe Aftësimit Profesional (IAAP) “Mithat Frashëri” Gurakoc–Istog, IAAP “Fehmi Agani” Klinë dhe Local Democracy Agency. Atmosfera e gjallë dhe pjesëmarrja e gjerë reflektuan vullnetin e komunitetit për të investuar në zhvillimin personal dhe profesional.

Më 25 nëntor, Java e Mësuarit Gjatë Gjithë Jetës u zhvillua në Mitrovicën e Jugut dhe Kamenicë, duke sjellë qytetarët pranë programeve arsimore dhe trajnimeve profesionale. Në Mitrovicë, SHMLT “Arkitekt Sinani”, QAP Mitrovicë, OJQ Hareja / YALEC Vushtrri dhe Coding Training Academy prezantuan kurse dhe projekte që ofrojnë mundësi reale për zhvillim profesional. Në Kamenicë, pjesëmarrës ishin OJQ KEC, QAP Gjilan, IAAP “Andrea Durrsaku” dhe Parku Teknologjik – Cacttus Education, 3Media, të cilët promovuan oferta të ndryshme edukative - arsimore për komunitetin lokal. 

Dita e tretë, më 26 nëntor, e zhvendosi fokusin në Ferizaj dhe Gjakovë. Në Ferizaj, stendat e QAP Ferizaj, Qendrës së Kompetencës, shkollave profesionale dhe Institutit Pedagogjik të Kosovës tërhoqën vëmendjen e komunitetit me programe praktike dhe profesionale për të rinjtë dhe të rriturit. Ndërsa në Gjakovë, QAP Gjakovë, SHMLT “Nexhmedin Nixha”, SHMLE “Kadri Kusari” dhe KVRL Gjakova prezantuan aktivitetet dhe trajnimet joformale për të rinjtë duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së grupeve të margjinalizuara në programe të të nxënit gjatë gjithë jetës.

Java u përmbyll më 27 nëntor në Podujevë, ku përfaqësues nga IAAP “Fan S. Noli”, QAP Prishtinë, Instituti Pedagogjik i Kosovës (IPK), IAAP “Isa Boletini” dhe Flutura Academy prezantuan programe të reja arsimore dhe mundësi për aftësim profesional. Qytetarët patën mundësinë të njiheshin nga afër me oferta që synojnë zhvillimin e aftësive të qëndrueshme dhe rritjen e mundësive të punësimit.

Ndërkohë, paralelisht me aktivitetet në terren, u zhvillua ligjërata virtuale me Kolegjin Europian të Kosovës – ECK me temën “Përparësitë dhe sfidat e arsimit për të rriturit dhe zhvillimin profesional në Kosovë”. Po ashtu, Shërbimi Kombëtar Mbështetës për EPALE organizoi një punëtori në MAShTI, ku mësimdhënës, udhëheqës të institucioneve, ofrues privatë dhe përfaqësues shtetërorë u njohën me funksionet e platformës EPALE dhe mundësitë për bashkëpunime evropiane.

Një nga risitë e JMGJJ 2025, ishte seria e podcast-eve e realizuar nga qendrat OJQ THY/YALEC Prizren dhe OJQ Hareja/YALEC Vushtrri, me mbështetjen e DVV International. Këto podcast-e sollën ekspertë të fushës që ndanë përvoja praktike dhe diskutuan mbi zhvillimet, sfidat dhe nevojat për ngritjen e kapaciteteve në arsimin e të rriturve. 

Në Prizren, në kuadër të serive të podcast-it EDU CAST, u trajtuan tema kyçe si “Roli i arsimit gjatë gjithë jetës” me z. Kujtim Gashi, nënkryetar i Komunës së Prizrenit (https://www.youtube.com/watch?v=YKshBqv8aPY); “Arsimi profesional dhe mësimi praktik” me znj. Edona Turtulla Rada, drejtoreshë e Qendrës së Kompetencës Prizren (https://youtu.be/K0Fku8DjYqc); si dhe “Përdorimi i mjeteve digjitale në arsimin formal dhe joformal” me z. Veton Xhelili nga Cacttus Education (https://youtu.be/2GYdRD15HTM). 

Në podcast-in e realizuar në Vushtrri u diskutuan temat: “Rëndësia e arsimit për të rritur”, “Mundësitë arsimore dhe zhvillimore në komunitet” dhe “Qasja dhe roli i qendrave për mësim gjatë gjithë jetës”, me të ftuarit z. Bajrush Kosumi, drejtor në OJQ Hareja; z. Enver Bajrami, përfaqësues nga Drejtoria e Arsimit në Komunën e Vushtrrisë; prof. Agron Ibrahimi; dhe prof. Arben Halili. Gjithashtu, dy histori suksesi nga pjesëmarrësit e programit YALEC Vushtrri ilustruan arritjet konkrete të këtyre programeve në komunitet (https://youtu.be/gqYxW_SQT9U?si=m2Ix40A09nMQNEDK).

Java e të Mësuarit Gjatë Gjithë Jetës 2025 u përmbyll me rezultate të dukshme, duke afruar institucione, organizata dhe komunitete rreth qëllimit të përbashkët për të promovuar arsimin e vazhdueshëm. Pjesëmarrja e gjerë dhe bashkëpunimet e krijuara gjatë kësaj jave vendosën themele të qëndrueshme për iniciativa të reja që do të mbështesin zhvillimin personal dhe profesional të qytetarëve.