Më 21 shtator 2024, DVV International mori pjesë në eventin e organizuar nga Ambasada Gjermane në Kosovë “Street Fest” në sheshin Zahir Pajaziti, një ngjarje e veçantë që shënoi 25 vjet bashkëpunim ndërmjet Qeverisë Gjermane dhe asaj të Kosovës. Kjo ngjarje ofroi një mundësi të shkëlqyer për të festuar arritjet e përbashkëta dhe për të theksuar rëndësinë e këtij partneriteti në zhvillimin e qëndrueshëm të komunitetit.
Ky event u organizua nga Ambasada Gjermane në Kosovë, GIZ - Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit GmbH dhe KFW. Përveç pjesëmarrjes së organizatave të ndryshme gjermane që veprojnë në Kosovë, në këtë event morën pjesë edhe organizata të tjera që bashkëpunojnë ngushtë me institucionet gjermane.
Ndër të pranishmit në këtë ngjarje ishin edhe figura të rëndësishme, përfshirë Zv. Ambasadorin Z. Matthias Conrad nga Ambasada Gjermane, kryetarin e Komunës së Prishtinës Z. Përparim Rama, dhe Znj. Rozeta Hajdari, Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në Kosovë.
Pjesëmarrja e DVV International ishte një hap i rëndësishëm për të promovuar misionin e organizatës në mbështetje të arsimit për të rritur në Kosovë. Gjatë promovimit të punës së saj, përmes bisedave të drejtpërdrejta me vizitorët dhe shpërndarjes së broshurave dhe materialeve informuese, DVV International prezantoi në detaje pikat kyçe të veprimtarisë së saj në Kosovë.
Eventi “Street Fest” ofroi një platformë të vlefshme për DVV International për të krijuar lidhje me komunitetin, duke rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e arsimit të të rriturve dhe rolin e tij në formësimin e një të ardhme më të mirë për Kosovën.
Jemi mirënjohës ndaj të gjithë atyre që vizituan stendën tonë, u përfshinë në biseda dhe treguan mbështetje për misionin tonë.