Më 10 nëntor 2026, në Hotel Sirius në Prishtinë, u mbajt Kuvendi – Asambleja e Parë Zgjedhore e Rrjetit për Arsimin e të Rriturve në Kosovë (ALE NK), me pjesëmarrjen e 14 përfaqësuesve të institucioneve dhe organizatave anëtare të Rrjetit. Asambleja u organizua nga Rrjeti ALE NK, me mbështetjen e DVV International.
Asambleja kishte për qëllim avancimin e mëtejshëm të punës së Rrjetit ALE NK, përmes diskutimit dhe marrjes së vendimeve lidhur me strukturën drejtuese, dokumentet e brendshme dhe hapat e ardhshëm të zhvillimit të tij.
Gjatë takimit u vlerësuan procesi i deritanishëm dhe rezultatet e arritura, veçanërisht regjistrimi zyrtar i Rrjetit ALE NK si shoqatë vendore.
Një nga pikat kryesore të Asamblesë ishte shqyrtimi i Statutit përfundimtar të Rrjetit ALE NK. Gjatë këtij procesi u diskutuan dispozitat që përcaktojnë organizimin dhe funksionimin e Rrjetit, qëllimin, fushëveprimtarinë dhe kompetencat e Kuvendit.
Një pjesë e rëndësishme e punimeve iu kushtua përcaktimit të strukturës drejtuese të ALE NK. Anëtarët e Rrjetit, me votim unanim, miratuan që Bordi Drejtues të përbëhet nga nëntë (9) anëtarë. Z. Bajrush Kosumi u zgjodh Kryetar i Bordit Drejtues, znj. Ryve Prekorogja u zgjodh Drejtore Ekzekutive, ndërsa z. Granit Brajshori u caktua përfaqësues ligjor i Rrjetit.
Në kuadër të diskutimeve për funksionalizimin e Rrjetit, u trajtua edhe nevoja për hartimin dhe miratimin e rregulloreve të brendshme, në përputhje me Statutin, me qëllim të përcaktimit të qartë të përgjegjësive dhe procedurave të funksionimit.
DVV International po mbështet Rrjetin ALE NK në hartimin e Strategjisë Zhvillimore, e cila do të shërbejë si udhërrëfyes për zhvillimin dhe funksionimin e tij në vitet e ardhshme.
U dakordua që Strategjia Zhvillimore dhe Rregullorja e Brendshme të trajtohen në një punëtori të përbashkët, të planifikuar për muajin dhjetor të këtij viti. Gjithashtu, u theksua rëndësia e angazhimit aktiv të organizatave anëtare në zhvillimin dhe qëndrueshmërinë e Rrjetit, përmes bashkëpunimit, ndarjes së përgjegjësive, krijimit të partneriteteve dhe identifikimit të mundësive për sigurimin e fondeve.
Asambleja e Parë Zgjedhore shënon një hap të rëndësishëm në konsolidimin institucional të Rrjetit ALE NK dhe krijimin e kushteve për funksionimin e tij si organizatë e pavarur, që synon të forcojë bashkëpunimin ndërmjet organizatave anëtare dhe të kontribuojë në zhvillimin e Arsimit dhe Edukimit për të Rritur dhe të Mësuarit Gjatë Gjithë Jetës në Kosovë.