Nga data 28 deri më 31 tetor 2024, DVV International, në bashkëpunim me Autoritetin Kombëtar të Kualifikimeve (AKK), organizoi një trajnim katër-ditor, i strukturuar në dy sesione dy-ditore, me temën “Ngritja e kapaciteteve të praktikuesve të Njohjes së Mësimit Paraprak (NjMP) për Koordinatorët, Mentorët dhe Vlerësuesit e brendshëm dhe të jashtëm.”
Në këtë trajnim morën pjesë 47 pjesëmarrës, përfaqësues të organizatave joqeveritare, institucioneve të ndryshme, Qendrave të Aftësimit Profesional (QAP) dhe ofrues të tjerë që veprojnë në fushën e arsimit dhe aftësimit të të rriturve në Kosovë.
Ky trajnim kishte për qëllim fuqizimin e Organizatave Jo-Qeveritare (OJQ) dhe Institucionet e Arsimit dhe Aftësim Profesional (IAAP) për zbatimin e NjMP në nivel vendi dhe duke e bërë NjMP si një formë e rritjes së mundësive të certifikimit të kualifikimeve profesionale me qëllim të punësimit dhe mbështetjes së konceptit të të mësuarit gjatë gjithë jetës.
Trajnimi u udhëhoq nga dy eksperte të fushës: znj. Bleta Kadriu, Eksperte e Standardeve të Profesionit në Autoritetin Kombëtar të Kualifikimeve (AKK), dhe znj. Donjeta Nimani Bince, Zyrtare e Lartë për NjMP në AKK. Ato ndanë ekspertizën e tyre në zbatimin e Njohjes së Mësimit Paraprak (NjMP), përdorimin e standardeve të profesionit, zhvillimin e kualifikimeve dhe procesin e certifikimit përmes NjMP-së. Gjithashtu, znj. Rozafa Limani, koordinatorja e projektit nga DVV International, prezantoi një përmbledhje të projekteve të realizuara me AKK-në, ne lidhje me zbatimin e komponentit të NjMP-së në Kosovë.
Dita e parë e këtij trajnimi ishte e orientuar në procesin e Njohjes së Mësimit Paraprak (NjMP), duke ofruar informacion të thelluar mbi përfitimet e këtij procesi dhe Kornizën ligjore dhe institucionale që mbështet zbatimin e tij. Dita e dytë fokusohej në rolin kyç të praktikuesve të NjMP-së, duke përfshirë Koordinatorët, Mentorët dhe Vlerësuesit e brendshëm dhe të jashtëm, dhe rëndësinë e angazhimit të këtyre profesionistëve në suksesin e procesit të njohjes së mësimit paraprak.
Po ashtu pjesëmarrësit u informuan rreth procesit të aplikimit dhe akreditimit në AKK, me konkretisht për fazat e procesit dhe reflektimet e brendshme që duhet të merren parasysh për këtë proces.
Në përgjithësi, në fund të këtij trajnimi, pjesëmarrësit kuptuan më shumë rreth:
- Procesit e NjMP
- Përfitimet e NjMP
- Profilin e kandidatit të NjMP-së
- Kornizën ligjore dhe institucionale për zbatimin e NjMP-së
- Fazat e procesit të zbatimit të NjMP-së
- Rolin e praktikuesëve të NjMP-së gjatë procesit të zbatimit të NJMP
Gjatë këtij trajnimi, pjesëmarrësit u angazhuan në grupe punuese për të analizuar detyrat dhe përgjegjësitë e tyre në zbatimin e NjMP-së, duke thelluar njohuritë dhe kuptimin e rolit të praktikuesve të NjMP-së, përfshirë Koordinatorët, Mentorët dhe Vlerësuesit e brendshëm dhe të jashtëm në këtë proces. Me një qasje interaktive që përfshinte prezantime, diskutime dhe ushtrime praktike, ata shkëmbyen përvoja, ndanë njohuri dhe adresuan sfidat që hasin gjatë zbatimit të NjMP-së.
Me këtë rast, pjesëmarrësit morën certifikatë pjesëmarrjeje e cila konfirmon angazhimin dhe njohuritë e fituara gjatë trajnimit.
Në përfundim, ky aktivitet përmbush një objektiv të rëndësishëm në avancimin e kapaciteteve profesionale dhe përmirësimin e kualifikimeve në arsimin e të rriturve në Kosovë, duke mbështetur një zhvillim të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës.