Punëtori: Zhvillimi organizativ i Qendrave për Arsimin dhe Edukimin e Rinjve dhe të Rriturve (YALEC) në Kosovë – Prezantimi i Curriculum InstitutionALE

[Translate to Albanian:]
[Translate to Albanian:]

Më 28 prill 2026, në zyrat e DVV International në Prishtinë, u mbajt punëtoria me temën “Zhvillimi organizativ i Qendrave për Arsimin dhe Edukimin e të Rinjve dhe të Rriturve (YALEC) në Kosovë – Prezantimi i Curriculum InstitutionALE”, me qëllim forcimin e kapaciteteve të këtyre qendrave.

Në këtë aktivitet morën pjesë 9 persona, përfshirë përfaqësues nga DVV International në Kosovë, znj. Katrin Denys, Drejtoreshë Rajonale e DVV International për Evropën Juglindore dhe Shtetet e Kaukazit, si dhe përfaqësues nga OJQ THY/YALEC Prizren, YALEC Pejë dhe YALEC Vushtrri.

Në hapje të punëtorisë, z. Ramadan Alija, Drejtor i DVV International në Kosovë, prezantoi kornizën strategjike të organizatës në fushën e arsimit për të rritur, në tri nivele: makro, mezo dhe mikro. Në nivelin makro fokusi është në mbështetjen e politikave publike dhe integrimin e arsimit për të rritur në sistemin kombëtar; në nivelin mezo në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe të stafit të partnerëve; ndërsa në nivelin mikro në zbatimin e programeve dhe kurseve konkrete për komunitetin.

Më pas, znj. Katryn Denis prezantoi Curriculum InstitutionALE si një kornizë praktike për zhvillimin organizativ të institucioneve të arsimit për të rritur, duke theksuar rëndësinë e analizës institucionale, përmirësimit të qeverisjes, sigurimit të cilësisë dhe rritjes së ndikimit në komunitet.

Gjatë punëtorisë u trajtua sistemi arsimor në Kosovë dhe roli i arsimit për të rritur në zhvillimin socio-ekonomik dhe tregun e punës. U identifikuan aktorët kryesorë në fushën e arsimit për të rritur, përfshirë institucionet publike, komunat, organizatat e shoqërisë civile dhe sektorin privat.

Në përfundim, u diskutua zhvillimi i mëtejshëm i qendrave YALEC, me fokus në zgjerimin e ofertës programore përmes fushave si edukimi financiar, aftësitë digjitale, edukimi qytetar dhe zhvillimi personal. U prezantua cikli i përmirësimit të vazhdueshëm, i cili përfshin identifikimin e nevojave, vlerësimin, planifikimin, zhvillimin e kapaciteteve dhe monitorimin, si një qasje e njohur ndërkombëtarisht për rritjen e cilësisë institucionale. Po ashtu, u identifikuan hapa konkretë për përmirësimin e menaxhimit institucional, rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet qendrave.