Nga 2 deri më 13 shkurt 2026, dy përfaqësuese të DVV International – Zyra në Kosovë, znj. Merita Shala, Koordinatore e Projektit dhe hulumtuese e fondeve, si dhe znj. Mevlude Pacolli, Asistente e Projektit, morën pjesë në Akademinë e Arsimit të të Rriturve 2026, të mbajtur në Julius-Maximilians-Universität Würzburg në Gjermani.
Akademia mblodhi profesionistë dhe studentë nga vende të ndryshme të botës dhe përfaqëson një nga platformat më të rëndësishme ndërkombëtare për studime krahasuese në arsimin e të rriturve dhe mësimin gjatë gjithë jetës, duke krijuar hapësira për dialog akademik, ndarje të përvojave dhe bashkëpunim ndërkombëtar.
Programi dyjavor ndërthurte ligjërata akademike me punë praktike dhe aktivitete në terren. Gjatë javës së parë, pjesëmarrësit trajtuan kornizat globale dhe evropiane të politikave në arsimin e të rriturve, rolin e organizatave ndërkombëtare, proceset reformuese dhe rëndësinë e mësimit gjatë gjithë jetës për zhvillim të qëndrueshëm. Pjesëmarrësit ndoqën ligjërata nga ekspertë të fushës dhe zhvilluan vizita në institucione arsimore dhe organizata profesionale në Gjermani, ku patën mundësinë të mësonin nga praktikat e tyre dhe të diskutonin mundësitë për zbatim në kontekste të ndryshme kombëtare.
Në kuadër të shkëmbimit të praktikave të mira, përfaqësuesit nga Kosova prezantuan rrugëtimin e zbatimit të Curriculum globALE në Kosovë, duke theksuar njohjen institucionale të programit, ndikimin në ngritjen e kapaciteteve dhe kontributin në profesionalizimin e edukatorëve të të rriturve.
Java e dytë iu kushtua punës krahasuese në grupe tematike, ku pjesëmarrësit trajtuan çështje të ndryshme si zhvillimi i politikave për arsimin e të rriturve, përfshirja dhe barazia, transformimi digjital, zhvillimi i kurrikulave dhe mësimi në komunitet. Përmes analizës krahasuese, ata identifikuan sfida të përbashkëta, krahasuan praktikat kombëtare dhe shkëmbyen qasje inovative që mund të adaptohen në vendet e tyre.
Pjesëmarrja në Akademi ofroi mundësi të vlefshme për shkëmbim njohurish, rrjetëzim profesional dhe reflektim mbi praktikat ndërkombëtare në arsimin e të rriturve. Programi ofroi një eksperiencë të mirëorganizuar dhe frytdhënëse, duke krijuar një platformë të rëndësishme për dialog dhe bashkëpunim ndërkombëtar. Njohuritë dhe aftësitë e fituara kontribuojnë në zhvillimin profesional dhe ofrojnë perspektiva të reja për reflektim mbi qasjet dhe praktikat më të mira në fushën e arsimit të të rriturve.