Punëtori – Zbatimi i Curriculum InstitutionALE (CI) në Kosovë

[Translate to Albanian:]
[Translate to Albanian:]

Më 28 prill 2026, në ambientet e zyrës së DVV International në Kosovë u mbajt një punëtori kushtuar zhvillimit organizativ, e bazuar në Curriculum InstitutionALE (CI). Punëtoria shërbeu për të prezantuar qasjen Curriculum InstitutionALE (CI) dhe për të ofruar udhëzime praktike për zbatimin e saj, me synim forcimin e kapaciteteve organizative dhe përmirësimin e shërbimeve të Qendrave për Arsimin dhe Edukimin e të Rinjve dhe të Rriturve (YALEC) në Kosovë.

Në punëtori morën pjesë nëntë pjesëmarrës, përfshirë përfaqësues të DVV International në Kosovë, znj. Katrin Denys, Drejtoreshë Rajonale për Evropën Juglindore dhe Kaukazin, si dhe përfaqësues të OJQ-së THY/YALEC Prizren, OJQ-së KVRL Peja/YALEC Pejë dhe OJQ-së Hareja/YALEC Vushtrri.

Si eksperte e përfshirë drejtpërdrejt në zhvillimin e Curriculum InstitutionALE, znj. Katrin Denys ishte e ftuar të ndante përvojën dhe ekspertizën e saj mbi zbatimin praktik të kësaj qasjeje në Kosovë.

Punëtorinë e hapi z. Ramadan Alija, Drejtor i DVV International në Kosovë, i cili prezantoi sistemin e arsimit të të rriturve (ARr) në Kosovë. Në vijim, znj. Denys prezantoi Curriculum InstitutionALE si një qasje praktike për forcimin dhe zhvillimin e institucioneve të arsimit dhe mësimit të të rriturve. Gjatë prezantimit, ajo vuri theksin në rëndësinë e analizës institucionale, qeverisjes efektive, sigurimit të cilësisë, si dhe rritjes së ndikimit të shërbimeve arsimore në komunitetet lokale.

Punëtoria u përmbyll me një diskutim mbi drejtimet e ardhshme të zhvillimit të tri qendrave YALEC, me fokus në zgjerimin e programeve arsimore në fusha si edukimi financiar, aftësitë digjitale, edukimi qytetar dhe zhvillimi personal. Gjithashtu, pjesëmarrësit u njohën me ciklin e përmirësimit të vazhdueshëm, i cili përfshin vlerësimin e nevojave, planifikimin, zbatimin, vlerësimin e rezultateve, zhvillimin e kapaciteteve dhe monitorimin.

Gjatë punëtorisë, tri qendrat YALEC identifikuan disa fusha prioritare ku nevojitet zhvillim i mëtejshëm i kapaciteteve të tyre institucionale dhe organizative. Ato theksuan rëndësinë e forcimit të kapaciteteve në mobilizimin e burimeve, sigurimin e fondeve dhe avokimin, me qëllim rritjen e qëndrueshmërisë së tyre afatgjatë, si dhe forcimin e rolit dhe ndikimit që kanë në komunitetet ku veprojnë. Përveç kësaj, u nënvizua nevoja për përmirësimin e kapaciteteve në vlerësimin e nevojave të tregut të punës dhe komunitetit, në identifikimin dhe përfshirjen e grupeve të synuara, në sigurimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të trajnerëve dhe ekspertëve të kualifikuar, në zhvillimin e partneriteteve strategjike dhe rrjeteve të bashkëpunimit, si dhe në forcimin e menaxhimit organizativ. Pas trajnimit, DVV International realizoi një vlerësim fillestar dhe mblodhi të dhëna bazë për procesin e zhvillimit organizativ.