Më 26.11.2025, në ambientet e Fakultetit të Edukimit të Universitetit të Prishtinës, u mbajt ceremonia e certifikimit të pjesëmarrësve në Programin për Zhvillim Profesional të Mësimdhënësve në Shërbim “Curriculum globALE”. Programi implementohet nga Instituti për Hulumtime dhe Zhvillim të Arsimit (IHZHA), në kuadër të Fakultetit të Edukimit të Universitetit të Prishtinës, me mbështetje nga DVV International në Kosovë.
Trajnimi u realizua përmes pesë moduleve që përfshinë qasje teorike dhe praktike në Arsimin e të Rriturve, duke u fokusuar në andragogji, të nxënit e të rriturve, komunikimin dhe dinamikën e grupit, metodat bashkëkohore të mësimdhënies, si dhe planifikimin dhe vlerësimin. Gjatë këtij procesi, pjesëmarrësit zhvilluan kompetenca profesionale të zbatueshme në praktikën e tyre të përditshme.
Ceremonia shënoi përfundimin me sukses të trajnimit për 16 pjesëmarrës, të cilët demonstruan përkushtim dhe profesionalizëm gjatë gjithë procesit të zhvillimit profesional.
Përfaqësues të Fakultetit të Edukimit, AAAPARr dhe DVV International vlerësuan përkushtimin e pjesëmarrësve dhe theksuan rolin kyç të programit Curriculum globALE në rritjen e cilësisë së arsimit për të rritur dhe fuqizimin e edukatorëve si aktorë të rëndësishëm të ndryshimit.
Në këtë rast, Prof. Naser Zabeli vuri në dukje se puna e pavarur dhe reflektimi i pjesëmarrësve kontribuojnë drejtpërdrejt në avancimin e praktikave mësimore, ndërsa znj. Fikrije Zymberi, Drejtoreshë e AAAPARr, përgëzoi pjesëmarrësit për përfundimin e pesë moduleve dhe nënvizoi rolin e këtij trajnimi në rëndësinë e arsimit gjatë gjithë jetës.
Tutje, Z. Ramadan Alija, Drejtor i DVV International në Kosovë, theksoi përkushtimin e organizatës ndaj zhvillimit të arsimit për të rritur dhe rëndësinë e programit ‘Curriculum globALE’, i cili implementohet në Kosovë që nga 2015, duke nënvizuar strukturën e qëndrueshme të Fakultetit të Edukimit për trajnimin e trajnerëve dhe rrjetin profesional që do të ofrojë këto trajnime edhe në të ardhmen
Znj. Blerta Perolli, Prodekane e Fakultetit të Edukimit, vuri në pah rëndësinë e institucionalizimit të programit brenda Fakultetit, duke vlerësuar kontributin e profesorëve dhe rolin e trajnimit si bazë për ngritjen e standardeve arsimore dhe zhvillimin profesional të edukatorëve në Kosovë.
Çdo pjesëmarrës u pajis me certifikatë që dëshmon përfundimin me sukses të programit, duke u njohur zyrtarisht si profesionistë të trajnuar sipas standardeve të Curriculum globALE. Ky certifikim përfaqëson një vlerësim të rëndësishëm të punës së tyre dhe një motivim për të aplikuar njohuritë e fituara në institucionet ku veprojnë.
DVV International në Kosovë, në partneritet me institucionet vendore, mbetet e përkushtuar në avancimin e arsimit për të rritur dhe në përgatitjen e profesionistëve që kontribuojnë në përfshirjen sociale, zhvillimin ekonomik dhe fuqizimin e komunitetit.