Vizitë e përfaqësuesve të GIZ nga projekti Fit for Jobs II në YALEC Prizren

Më 26 gusht 2026, përfaqësues të Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH – Fit for Jobs II në Kosovë, së bashku me stafin e DVV International në Kosovë, vizituan Youth and Adult Learning and Education Center (YALEC) në Prizren, të menaxhuar nga organizata Think Young (THY).

Në kuadër të kësaj vizite, z. Mario Eckardt, Drejtues i Projekteve të GIZ Fit for Jobs II në Kosovë, znj. Alberta Alihajdari, Këshilltare për Aftësimin Profesional dhe Tregun e Punës, dhe znj. Edona Nahi, Menaxhere e Komponentit të Programit, u njohën nga afër me modelin dhe aktivitetet e YALEC Prizren.

Gjatë vizitës, znj. Endrita Mehmeti, menaxhere në OJQ THY – YALEC Prizren, prezantoi misionin dhe programet e qendrës, me fokus në fuqizimin e të rinjve dhe të rriturve përmes edukimit, trajnimeve dhe aktiviteteve ndërkulturore. Ajo gjithashtu prezantoi mënyrën e organizimit të aktiviteteve, trajnimeve dhe mentorimit, si dhe punën e qendrës me komunitetin.

Z. Ramadan Alija, Udhëheqës i Zyrës së DVV International në Kosovë, theksoi se qendrat YALEC në Prizren, Pejë dhe Vushtrri janë themeluar bazuar në modelin e shkollave popullore gjermane (Volkshochschule – VHS), në bashkëpunim me partnerët lokalë, përfshirë komunat dhe organizatat partnere. Krijimi i tyre është mbështetur në hulumtimet e realizuara mbi nevojat e komuniteteve për Arsimin e të Rriturve, me qëllim që këto qendra t’u përgjigjen nevojave lokale dhe të ofrojnë mundësi për zhvillim personal e profesional.

Vizita krijoi një hapësirë të dobishme për shkëmbim të përvojave dhe për të diskutuar mbi mundësitë e ardhshme të bashkëpunimit ndërmjet DVV International, GIZ dhe qendrave YALEC.