Në Republikën e Kosovës ekzistojnë 8 Qendra Rajonale të Aftësimit Profesional të cilat ofrojnë kurse modulare pa pagesë 3-6 mujore për profesione te ndryshme. Këto Qendra Trajnuese janë të dedikuara për personat e regjistruar si të pa punë, duke u bazuar në nevojat e tregut të punës.
DVV International në bashkëpunim me Qendrat e Aftësimit Profesional në Gjakovë dhe në Prizren ka mundësuar hapjen e tri kurseve të reja në kuadër të këtyre Qendrave trajnuese për profesionet Rrobaqepësi, Floktari dhe Furrtari.
Projekti është vazhdimësi e dy viteve të kaluara, i cili ka filluar me përgatitjen e programeve trajnuese, liferimin e pajisjeve të nevojshme për trajnim - të cilat janë dorëzuar në të dy qendrat trajnuese, dhe regjistrimin e pjesëmarrësve për trajnime. Për shkak të numrit të madh të personave të paraqitur për pjesëmarrje në këto kurse, dhe kërkesave të tregut të punës për profesionet e cekura më lartë në rajonet e Gjakovës dhe Prizrenit, mbështetja e ofruar nga DVV International për realizimin e këtyre kurseve, është duke vazhduar edhe gjatë vitit 2018. Deri më tani rreth 300 persona të pa punë, kryesisht të gjinisë femërore, kanë përfunduar kurset modulare në profesionet e cekuar më lartë, ndërsa deri në fund të vitit 2018 parashihet që ky numër të rritet në 450 persona të cilat do të kenë mundësi më të mira për punësimin apo vetëpunësimin e tyre.
Statistikat zyrtare të personave të regjistruar si të pa punë në Kosovë janë 30.05%, ndërsa 68% të tyre i takojnë gjinisë femërore. Sipas statistikave të dalura nga Hulumtimi i realizuar gjatë vitit 2017 nga DVV International dhe Agjencia e Punësimit në Republikën e Kosovës, 80% të personave të cilët kanë përfunduar kurset e Rrobaqepësisë, Floktarisë dhe Furrtarisë, janë punësuar me një pagë mujore, ose kanë hapur një biznes të vogël. Pilotimi i këtij projekti nga DVV international, në kuadër të Qendrave të Aftësimit Profesional në Gjakovë dhe në Prizren, është duke krijuar një qëndrueshmëri të përgjithshme financiare, dhe parashihet që nga fillimi i vitit 2019 të gjitha kostot e nevojshme për vazhdimin e kurseve të lartpërmendura në qendrat trajnuese ne Gjakovë dhe në Prizren,do të mbulohen nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, respektivisht nga Agjencinë e Punësimit në Republikën e Kosovës, dhe nuk do të ketë nevojë për mbështetje të mëtutjeshme financiare nga DVV International.