Në bashkëpunim me OJQ-KEC (Kosovo Education Center), nga data 22-25 Maj 2018,në Hotelin ,,Solid" në Suharekë, është mbajtur Akademia verore për 30 pjesëmarrës nga komunitetet e ndryshme etnike që jetojnë në Kosovë.
Njoftimi për pjesëmarrje në këtë Akademi verore është bërë përmes thirrjes së hapur e cila është vendosur nëpër Qendrat Rinore,Organizatat e shoqërisë civile dhe Rrjetet sociale (Facebook, Twitter, Instagram etj) Pas pranimit të aplikacioneve, një komision i përbërë nga Organizatat e shoqërisë civile që punojnë me të rinj dhe Qendrat Rinore, si dhe nga stafi i KEC dhe DVV International është bërë zgjedhja e 30 të rinjve të cilët kanë marrë pjesë në këtë Akademi.
Të drejtë pjesëmarrjeje kanë pasur të gjithë aktivistët e OJQ-ve, Qendrave Rinore dhe mësimdhënësit që punojnë me të rinj. Të gjithë pjesëmarrësit në këtë Akademi, përveç që kanë promovuar punën e organizatave të tyre, kanë pasur rastin të vijojnë edhe modulin e trajnimit nga KEC i cili është një kombinim i programit Edukimi Multikulturor, Programit për të drejtat e njeriut dhe qytetarisë demokratike nga Këshilli i Evropës dhe Programit-Edukimi për drejtësi shoqërore nga organizata "International Step by Step Association".
Për të siguruar shpërndarjen e mëtutjeshme të njohurive të fituara nga kjo Akademi, të gjithë pjesëmarrësit kanë marrë detyra specifike për të bërë në vendin e tyre të punës apo në Qendrat Rinore ku e zhvillojnë aktivitetin e tyre të përditshëm. Përfitues direkt nga kjo Akademi Verore kanë qenë 30 aktivistë të organizatave Jo-qeveritare nga komunitetet e ndryshme etnike në Kosovë dhe mësimdhënës që punojnë me të rinj. Ndërsa përfitues indirekt ishin, Qendrat Rinore dhe organizata tjera të shoqërisë civile në Kosovë të cilat kanë krijuar një rrjet të veprimit të përbashkët për të avancuar më tutje integrimin dhe bashkëpunimin e të rinjve nga komunitetet e ndryshme etnike në Kosovë.