Në kuadër të një përpjekjeje të përbashkët për të promovuar arsimin për të rritur në Kosovë, DVV International, Komuna e Pejës dhe Organizata Joqeveritare Këshilli për Veprim Rinor Lokal - Pejë (KVRL) kanë nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi më datën 07.05.2024. Ky dokument përfaqëson angazhimin e përbashkët për hapjen e një qendre të re për Arsimin e të Rriturve (ARr) në komunën e Pejës, duke u bazuar në modelin e shkollave popullore gjermane (vhs).
Për të realizuar këtë nismë të rëndësishme, më datën 13.09.2024 u nënshkrua kontrata e grantit ndërmjet DVV International dhe Organizatës Joqeveritare Këshilli për Veprim Rinor Lokal - Pejë (KVRL). Një nga aspektet kryesore të kësaj marrëveshjeje është mbështetja nga DVV International për renovimin e objektit të Qendrës Rinore në Pejë, konkretisht renovimin e hapësirës së KVRL Peja, në kuadër të së cilës do të hapet Qendra për Arsimin dhe Edukimin e të Rinjve dhe të Rriturve në Pejë.
Procesi i renovimit të objektit ka filluar gjatë muajit shtator 2024 dhe pritet të përfundojë në fund të muajit tetor. Ndërkohë, hapja zyrtare e qendrës së Arsimit për të Rinjë dhe të Rritur në Pejë, bazuar në modelin e shkollave popullore gjermane (vhs), do të bëhet më datë 21.11.2024.
Qendra e Arsimit dhe Edukimit për të Rinj dhe të Rritur në Pejë do të jetë e dyta e këtij lloji në Kosovë, pas hapjes së qendrës në Prizren, në prill të këtij viti.
Kjo qendër do të ndjekë me përkushtim modelin e shkollave poullore gjermane për ofrimin e arsimit joformal për të rriturit, duke synuar të ofrojë programe dhe kurse që plotësojnë nevojat e ndryshme të grupeve të të rriturve, jo vetëm nga rajoni i Pejës, por edhe më gjerë.