Ka përfunduar me sukses trajnimi për “Curriculum globALE” program i dedikuar për përgatitjen profesionale të mësimdhënësve dhe trajnerëve që punojnë në fushën e arsimit të të rriturve. Ky program është i akredituar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) dhe organizohet nga Instituti për Hulumtime dhe Zhvillim të Arsimit (IHZHA), në bashkëpunim me Fakultetin e Edukimit, ndërsa financohet nga DVV International në Kosovë. Bashkëpunimi ndërmjet DVV International dhe Fakultetit të Edukimit ka krijuar mundësi të reja për zhvillimin profesional të edukatorëve në Kosovë.
Qëllimi i “Curriculum globALE” është të ofrojë një program trajnimi për edukatorët e të rriturve, i bazuar në parimet dhe standardet ndërkombëtare të arsimit për të rritur. Ky program synon të rrisë profesionalizmin e pjesëmarrësve, të mbështesë programet e “Trajnimit të Trajnerëve” dhe të nxisë shkëmbimin global të njohurive dhe përvojave. Përmes këtij trajnimi, pjesëmarrësit zhvillojnë kapacitetet personale dhe profesionale, fitojnë njohuri të avancuara dhe përvetësojnë metoda bashkëkohore dhe qasje praktike në fushën e tyre.
Programi përbëhet nga pesë module kryesore:
Të qasurit ndaj arsimit për të rritur
Të nxënit e të rriturve dhe mësimdhënia për të rritur
Komunikimi dhe dinamika e grupit në arsimin për të rritur
Metodat e arsimit për të rritur
Planifikimi, organizimi dhe vlerësimi në arsimin për të rritur
Në modulin e parë të trajnimit, ligjëruar nga Prof. Teuta Danuza, pjesëmarrësit kuptuan dallimet midis pedagogjisë dhe andragogjisë, njohen parimet bazë andragogjike dhe zbatimin e tyre në praktikë, analizuan politikat vendore e ndërkombëtare në arsimin e të rriturve, identifikuan sfidat dhe kompetencat për profesionistët e kësaj fushe, si dhe reflektuan mbi rolin e tyre në zhvillimin e arsimit për të rritur.
Moduli i dytë i “Curriculum globALE” ligjeruar nga Prof. Naser Zabeli trajtoi konceptet kyçe të të nxënit dhe mësimdhënies në andragogji, duke ndihmuar pjesëmarrësit të kuptojnë lidhjen mes teorisë dhe praktikës në arsimin e të rriturve. Në përfundim të modulit, secili participant do të jetë në gjendje të analizoj faktorët që ndikojnë në të nxënit, të vlerësojnë sfidat e mësimdhënies dhe të përmirësojnë qasjet e tyre në procesin arsimor.
Ndërsa, moduli i tretë ligjeruar nga Prof. Fjolla Kaçaniku u fokusua në rëndësinë e komunikimit në procesin arsimor për të rritur. Gjatë këtij moduli u trajtuan konceptet bazë si komunikimi verbal, joverbal dhe gjuha paraverbale, elementet dhe stilet e ndryshme të komunikimit, si dhe ndikimi i gjinisë, kulturës dhe mediumit në përçimin e mesazhit.
Gjithashtu, moduli shqyrtoi komunikimin në grup, fazat e zhvillimit të tij dhe rolin kyç që ka mësimdhënësi në udhëheqjen dhe menaxhimin e grupit. Qëllimi i këtij moduli ishte që mësimdhënësit të pajisen me aftësi për të ndërtuar marrëdhënie efektive dhe për të krijuar një mjedis bashkëpunues për të nxënë.
Ndërkaq, moduli i katërt ligjeruar nga Prof. Naser Zabeli ofroi një skicë për zhvillimin e një kursi trajnimi katërditor mbi metodat në arsimin për të rritur, teknikat, strategjitë dhe aktivitetet. Meqenëse përdorimi i metodave kërkon si analizë ashtu edhe praktikë, fokusi i modulit nuk ishte te informacioni teorik, por te zbatimi konkret i metodave dhe reflektimi mbi përshtatshmërinë e tyre në situata reale mësimore.
Moduli përfundimtar i KG, i ligjëruar nga Prof. Kastriot Buza, ofroi njohuri themelore mbi planifikimin, organizimin dhe vlerësimin në arsimin për të rritur, me theks të veçantë në përmirësimin e cilësisë në të gjitha fazat e procesit mësimor.
Trajnimet u zhvilluan në përputhje me një plan të detajuar, duke ndjekur plotësisht ciklin e planifikimit për ofrimin e programeve efektive dhe gjithëpërfshirëse. Në këtë rast, Kurrikula Globale synon të vazhdojë të kontribuojë në fuqizimin e rolit të edukatorëve, me qëllim përmirësimin e cilësisë së arsimit për të rritur në vend.