Me datën 27 dhe 28 maj 2024, u mbajt punëtoria e përbashkët e anëtarëve të rrjetit për arsimin e të rriturve në Kosovë - ALE NK (Adult Learning and Education Network in Kosovo).
Në këtë punëtori dy ditore morën pjesë përfaqësues nga institucione publike dhe private njëkohësisht anëtarët e bordit drejtues të Rrjetit ALE-NK. Përfaqësues nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Agjencia për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsimin e të Rriturve (AAAPARr), Kolegji Evropian i Kosovës (ECK), Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës (APRK), Qendra Rinore – Hareja, dhe dy OJQ vendore, OJQ THY dhe Qendra Rinore në Pejë, të cilat shprehën interesimin për anëtarësim në rrjetin ALE NK.
Punëtoria kishte për qëllim diskutimin e bashkëpunimit në mes të organizatave anëtare dhe ngritjen e kapaciteteve të anëtarëve të ALE-NK, implementimin e strategjisë së avokimit, dhe zgjerimin e rrjetit me anëtarë të rinjë.
Punëtoria u hap nga znj. Ryve Prekorogja, Udhëheqëse e Bordit Drejtues të ALE NK dhe moderatore e ngjarjes, e cila falënderoi pjesëmarrësit për përkushtimin e tyre në përmirësimin e arsimit për të rritur në Kosovë. Ajo gjithashtu prezantoi historikun e Rrjetit për Arsimin e të Rriturve në Kosovë (ALE NK), i cili u themelua për të adresuar sfidat dhe për të përmirësuar arsimin e të rriturve në Kosovë. ALE NK synon forcimin e bashkëpunimit ndër-institucional, krijimin e strategjive të reja dhe formalizimin e rrjetit për të ofruar një platformë efektive për zhvillimin e arsimit të të rriturve.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Z. Lah Nitaj, Drejtor i Departamentit të Arsimit Parauniversitar në MASHTI, theksoi rëndësinë e punës së rrjetit për arsimin e të rriturve në Kosovë, duke vënë në dukje nevojën për zgjerimin dhe përmirësimin e rrjetit, si dhe krijimin e një webfaqeje për prezantimin e idesë dhe vizionit të rrjetit. Z. Nitaj falënderoi gjithashtu DVV International dhe drejtorin e saj, Z. Ramadan Alija, për kontributin e jashtëzakonshëm në këtë fushë.
Z. Alija në prezantimin e tij, paraqiti projektet dhe aktivitetet qe janë duke u implementuar dhe planin për projektet dhe aktivitetet tjera që do të realizohen deri ne fund të vitit 2024. Z. Alija gjithashtu theksoi nevojat për ngritjen e kapaciteteve të avokimit nga organizatat anetare të rrjetit ALE NK.
OJQ THY dhe QR-Pejë prezantuan punën dhe angazhimin e tyre të rëndësishëm në arsimin e të rriturve, duke kontribuar në mënyrë aktive përmes aktiviteteve të tyre. Një nga momentet kyçe gjatë kësaj punëtorie ishte anëtarësimi i dy organizatave të reja, OJQ THY dhe Qendra Rinore Pejë në kuadër të Rrjetit ALE NK. Përfshirja e OJQ THY dhe Qendrës Rinore Pejë në rrjetin ALE NK zgjeron përfaqësimin dhe bashkëpunimin në këtë fushë. Në kuadër të OJQ THY në Prizren, është lansuar Qendra e parë holistike për ARr në Kosovë – bazuar në modelin e Shkollave popullore gjermane (Vhs). Ndërsa me QR-Pejë DVV International ka nënshkruar Memorandumin e Mirëkuptimit, për pilotimin e qendrës së dytë holistike për ARr në Kosovë.
Gjatë punëtorisë, pjesëmarrësit gjithashtu diskutuan edhe për rregulloret zyrtare dhe marrëveshjet ekzistuese të bashkëpunimit në mes të akterëve kyq shtetërorë siç janë ministritë dhe agjencitë relevante përgjegjëse për ARr në Kosovë dhe për mënyrat e shfrytëzimit të resurseve të përbashkëta për të avancuar mëtutje arsimin e të rriturve në Kosovë.
Në diskutimet rreth implementimit të Strategjisë së Avokimit pë ARr, u arrit dakordimi për zhvillimin dhe lansimin e webfaqes së rrjetit ALE NK dhe u diskutua programi për organizimin e "Javës së Mësimit gjatë Gjithë Jetës", e cila do të mbahet në tetor-2024 në pesë komuna të Kosovës.
Rekomandimet kyçe të dalura nga kjo punëtori përfshijnë rritjen e numrit të anëtarëve në rrjetin ALE NK me OJQ të tjera kombëtare ngritjen e kapaciteteve profesionale të organizatave anëtare te rrjetit ALE NK, bashkëpunimi dhe koordinimi për aplikim për thirrje të ndryshmne në fushën e ARr (ALE), dhe për zhvillimin e strategjive të reja lokale dhe kombëtare për arsimin e të rriturve në Kosovë.
Punëtoria përfundoi me një angazhim për të vazhduar përpjekjet në ngritjen e arsimit për të rriturit në Kosovë, duke u fokusuar në bashkëpunim më të fuqishëm ndër-institucional në këtë fushë.