Nga data 2 deri më 5 shtator 2024, përfaqësues nga shkolla popullore gjermane dhe shkolla e muzikës (vhs) Bingen vizituan zyrën dhe disa organizata partnere të DVV International në Kosovë. Kjo vizitë e vhs Bingen është një vazhdimësi e bashkëpunimit midis organizatave partnere të DVV International në Kosovë dhe vhs Bingen, dhe vjen si rezultat i vizitës paraprake gjatë vitit të kaluar nga një grup partnerësh kosovarë në Bingen të Gjermanisë.
Gjatë kësaj vizite, në zyrën e DVV International në Kosovë u mbajtën dy prezantime; z. Ramadan Alija, udhëheqës i zyrës së DVV International, bëri një prezantim të detajuar mbi arritjet e deritanishme të DVV International në fushën e arsimit për të rriturit në Kosovë, duke theksuar gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit me shkollën popullore gjermane. Ndërsa, z. René Nohr, Drejtor i përgjithëshëm në vhs Bingen, bëri një prezantim mbi historikun e shkollës, duke ofruar një pasqyrë të thellë mbi zhvillimin dhe arritjet e këtij institucioni edukativo-arsimor.
Pas takimit në zyrën e DVV International, delegacioni nga VHS Bingen vazhdoi vizitën e tij në Prizren. Më 3 shtator 2024, përfaqësuesit e shkollës gjermane vizituan ambientet e OJQ-së THY, ku vepron Qendra për Arsimin dhe Edukimin e të Rriturve në Prizren (YALEC-Prizren). Kjo qendër u hap më 2 prill 2024 në ambientet e OJQ THY në Prizren, dhe tashmë ka nisur ofrimin e kurseve dhe trajnimeve për edukimin e të rriturve, duke ndjekur modelin e shkollave popullore gjermane.
Delegacioni i VHS Bingen, i udhëhequr nga z. René Nohr (Drejtor i Përgjithshëm), znj. Nina Göttelmann (Udhëheqëse e Shkollës së Muzikës), znj. María José Lafuente (Udhëheqëse e Njësisë së Dixhitalizimit) dhe z. Yannik Eberhard (Udhëheqës i Njësisë së Provimeve), u pritën nga nënkryetari i Komunës së Prizrenit, z. Kujtim Gashi, kryesuesja e Kuvendit Komunal, znj. Antigona Berisha Bytyqi dhe zyrtari i DKA-së, z. Nexhat Mackaj. Moment kyç i kësaj ngjarjeje ishte nënshkrimi i marrëveshjes së binjakëzimit midis VHS Bingen dhe OJQ THY nga Prizreni.
Ky bashkëpunim synon të promovojë ndërgjegjësimin kulturor dhe shkëmbimin e praktikave më të mira arsimore, përmes programeve të strukturuara dhe aktiviteteve të përbashkëta. Pjesë e këtij bashkëpunimi do të jetë gjithashtu zhvillimi i metodologjive inovative të mësimdhënies dhe shkëmbimi i burimeve arsimore për të përmirësuar të mësuarit gjatë gjithë jetës, organizimin e vizitave të shkëmbimit për trajnerët, stafin dhe nxënësit, me qëllim që të ndajnë përvojat dhe të mësojnë nga praktikat e njëri-tjetrit. Ky shkëmbim pritet të kontribuojë në përmirësimin e arsimit cilësor dhe të qëndrueshëm.
Në vazhdën e vizitës së tyre, më 4 shtator 2024, delegacioni vizitoi Shkollën e Muzikës në Prizren "Lorenc Antoni", ku Drejtori Vesel Krasniqi prezantoi strukturën dhe programet edukative të shkollës. Të dy palët shkëmbyen përvojat e tyre në fushën e arsimit.
Po ashtu, delegacioni nga VHS Bingen vizitoi Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, ku u pritën nga Rektori z.Mentor Alishani. Gjatë këtij takimi, u diskutua mundësia e një bashkëpunimi mes këtyre institucioneve.
Në përmbyllje, përfaqësuesit morën pjesë në një diskutim mbi programet dhe metodat e trajnimit me trajnerët e Qendrës për Arsimin dhe Edukimin e të Rriturve në Prizren (YALEC-Prizren), i cili u zhvillua në ambientet e OJQ-së THY.
Kjo vizitë nga VHS Bingen në Prizren shënon fillimin e një partneriteti të rëndësishëm ndërkombëtar, që pritet të pasurojë jo vetëm ofertën arsimore të Qendrës për Arsimin dhe Edukimin e të Rriturve (YALEC-Prizren), por edhe të gjithë komunitetin e Prizrenit. Ky bashkëpunim është një dëshmi e fuqishme e vlerës së shkëmbimit ndërkulturor dhe përpjekjeve të përbashkëta për ndërtimin e një të ardhme më të mirë përmes arsimit.