Përfaqësues nga DVV International – zyra në Kosovë, zyrtarë nga Komuna e Pejës, Këshilli i Veprimit Rinor Lokal (KVRL Peja), përfaqësues nga Qendra për Arsimimin dhe Edukimin e të Rinjve dhe të Rriturve Peja (YALEC Peja) dhe Qenda Rinore Hareja vizituan ambientet e Qendrës për Arsimimin dhe Edukimin e të Rinjve dhe të Rriturve (YALEC Prizren).
Takimi kishte për qëllim shkëmbimin e praktikave të mira në menaxhimin, koordinimin, partneritetin dhe implementimin e programeve për arsimimin e të rriturve nga YALEC Prizren, si dhe diskutimin reth sfidave dhe mundësive për bashkëpunim në të ardhmen në mes të YALEC Prizren, YALEC Peja dhe Qendrës Rinore Hareja në Vushtrri.
Ngjarja vazhdoi me prezantime nga organizatat pjesëmarrëse, të cilat shpalosën programet dhe aktivitetet e tyre për arsimimin e të rinjve dhe të rriturve.
OJQ THY prezantoi programet e saj, duke theksuar aktivitetet që zhvillohen në kuadër të YALEC Prizren. Gjatë vitit 2024, qendra ka trajnuar deri në 300 pjesëmarrës dhe ka ofruar një gamë të gjerë kursesh dhe trajnimesh, të tilla si: Gjuhë Angleze, Marketing Digjital, Udhërrëfyes Turistik, Joga, Komunikim dhe Prezantim, Menaxhim të Eventeve, Aftësi të Buta dhe Punëtori për Punimin e Qirinjve Dekorues. Me një qasje fleksibile dhe gjithëpërfshirëse, YALEC Prizren ka kontribuar ndjeshëm në fuqizimin e komunitetit dhe mbetet e përkushtuar ndaj promovimit të arsimimit gjatë gjithë jetës.
Në të njëjtën kohë, OJQ KVRL Peja paraqiti programet e saj arsimore, duke theksuar aktivitetet që zhvillohen në kuadër të YALEC Peja. Deri tani, YALEC Peja ka realizuar kurse dhe trajnime të ndryshme, duke përfshirë, kurse si: Gjuhë Angleze, IT, Menaxhim të Mediave Sociale dhe Ngjitje. Në të ardhmen, qendra planifikon të zgjerojë programin e kurseve, duke ofruar mundësi të reja si kurse për Muzikë, Gjuhë Gjermane, Gjuhë Italiane, Dizajn Grafik dhe Vetëmbrojtje. Kjo është qendra e dytë për arsimin joformal në vend e cila synon të fuqizojë të rinjtë dhe të rriturit duke ofruar mundësi edukative që përqendrohen në zhvillimin personal dhe professional.
Ndërkohë, Qendra Rinore Hareja shpalosi programet e saj arsimore për të rinjtë, që përfshijnë Trajnime në Ndërmarrësi, Teknologji të Informacionit (IT), Kodim, Dizajn Mode, Rrobaqepësi, Orientim në Karrierë dhe Edukim kundër Ekstremizmit të Dhunshëm. Si pjesë e angazhimit të saj për zgjerimin e mundësive arsimore, kjo qendër, në bashkëpunim me DVV International dhe Komunën e Vushtrrisë, do të hapë Qendrën e re për Arsimin dhe Edukimin e të Rinjve dhe të Rriturve, e cila do të jetë e treta e këtij lloji në vend.
Si përfundim, ky takim theksoi nevojën e bashkëpunimit në të ardhmën në mes të qendrave YALEC në Prizren, Pejë dhe Vushtrri, si dhe mundësinë e zgjerimit të partneriteteve me organizata dhe institucione të tjera që mund të kontribuojnë në zgjerimin e ofertave arsimore. U vlerësua kërkesa për të ndarë burime, informata për të krijuar mundësi për shkëmbimin e praktikave më të mira dhe për të siguruar që të rinjtë dhe të rriturit të kenë qasje në kurse dhe trajnime të shumta që ofrohen nga këto qendra.