Instituti për Bashkëpunim Ndërkombëtar i Bashkësisë së Shkollave të Larta Popullore Gjermane (DVV International) dhe Agjencia për Arsimin dhe Aftësimin Profesional dhe Arsimin e të Rriturve (AAAPARr), më 5 korrik 2022, kanë mbajtur seminar informues në kuadër të projektit "Zhvillimi i programeve afatshkurtra (modulare) të arsimit për të rritur dhe përdorimi i këtyre programeve në kuadër të gjashtë Qendrave të Kompetencës (QK) dhe shkollave të mesme profesionale (SHKMP) në Kosovë”.
Pjesëmarrës në seminarin informues ishin përfaqësues të gjashtë QK-ve dhe SHKMP-ve të zgjedhura.
Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së AAAPARr-së, znj. Fikrije Zymberi dhe drejtori i zyrës së DVV International në Kosovë, z. Ramadan Alija, kanë dhënë informacione për projektin, duke theksuar qëllimin e të njëjtit. Sipas tyre, zhvillimi dhe implementimi i programeve të reja të Arsimit për të Rritur (ARr) do të mundësojë rritjen e qasjes gjithëpërfshirëse në programet e arsimit për të rritur, në veçanti për grupet e margjinalizuara dhe grupet tjera të të rriturve, të larguara nga procesi i arsimit në Kosovë.
Përfaqësuesit e QK-ve dhe SHKMP-ve kanë prezantuar të dhënat mbi gjendjen aktuale, nevojat për ndryshime dhe implementimin e ARr në këto institucione.
Të njëjtit kanë diskutuar lidhur me sfidat për realizimin hulumtimit të gjendjes paraprake të kapaciteteve teknike dhe profesionale të gjashtë QK-ve dhe tetë shkollave të zgjedhura profesionale nga tetë rajonet kryesore në Kosovë (Prishtinë, Podujevë, Prizren, Pejë, Ferizaj, Mitrovicë, Gjilan dhe Gjakovë), si dhe lidhur me sfidat për zhvillimin e programeve për kurse afatshkurtra dhe implementimin e tyre.
Në fund, pjesëmarrësit kanë dhënë rekomandime konkrete, ndër të cilat ishin: hartimi i programeve modulare në bazë të kërkesave të tregut të punës; rekrutimi më i madh i instruktorëve që do të ndihmojnë në zhvillimin e shkathtësive dhe përgatitjen e kandidatëve për procesin e ARr; ngritja e kapaciteteve të shkollave dhe qendrave të kompetencës përmes trajnimit të stafit për njohuri andragogjike (sipas programit “Curriculum globALE”), përkrahja me pajisje të nevojshme; hartimin e dokumentacionit unik për ARr, etj.
Ndryshe, zhvillimi i programeve të reja për ARr do të bazohet në standardet e validuara dhe të miratuara nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve (AKK) dhe në harmoni me Kornizën Kombëtare të Kualifikimeve në Kosovë.