Më datë 11 Maj 2018, në bashkëpunim me Agjencionin për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsimin e të Rriturve (AAAPARr), është mbajtur punëtoria e parë me drejtorët dhe Koordinatorët e shkollave të mesme profesionale dhe qendrave të kompetencës, për t'i njoftuar ata lidhur me hulumtimin i cili do të realizohet në kuadër të institucioneve të tyre arsimore. Ky hulumtim ka për qëllim analizën e nevojave në terren në baza të profesioneve, për mundësitë e implementimit të nivelit 5 të kualifikimeve në institucionet shtetërore të arsimit në Republiken e Kosovës.
Në këtë punëtori kanë marrë pjesë 27 persona të cilët janë njoftuar më pyetësorin i cili do t'u shpërndahet të gjitha shkollave profesionale dhe qendrave të Kompetencës dhe me procedurat tjera të nevojshme për mbarëvajtjen e këtij hulumtimi.
Realizimi i këtij hulumtimi do të shërbejë për mbledhjen e të dhënave në bazë të profesioneve që ofrohen në shkollat e mesme profesionale shtetërore dhe qendrave të kompetencës, për mundësitë dhe nevojat e tyre për të qenë në gjendje të fillojnë me implementimin e nivelit 5 të kualifikimeve duke u bazuar në Kornizën Kombëtare të Kualifikimeve në Republikën e Kosovës.
Hulumtimi në fjalë do të shërbejë për AAAPARr dhe akterët tjerë relevant, si një udhërrefyes për zhvillimin e kurrikulave dhe programeve të nevojshme arsimore dhe zhvillimin e kapaciteteve të nevojshme për nivelin 5 të kualifikimeve duke u bazuar në specifikat dhe nevojat e tregut të punës në Republiken e Kosovës. Hulumtimi në fjalë do të ketë formën e një raporti i cili do t'u dorëzohet të gjithë akterëve relevant të cilët merren me arsimin profesional dhe arsimin e të rriturëve në Republikën e Kosovës.