Më 14 dhjetor 2022, Instituti për Bashkëpunim Ndërkombëtar i Shoqatës së Shkollave Popullore Gjermane (Deutscher Volkshochschul-Verband e.V. - DVV) në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) në Kosovë, organizuan konferencën me titull “Roli i Arsimimit të të Rriturve (ARr) në Kosovë”, dhe më 15 dhjetor 2022, nga anëtarët e Rrjetit ALE–NK, u organizuan aktivitetet promovuese për arsimin e të Rriturve në Kosovë, me moton “Dyer të hapura për Arsimimin e të rriturve në Kosovë”.
Konferenca “Roli i Arsimimit të të Rriturve (ARr) në Kosovë” është mbajtur në hapësirën e Hotel Emerald në Prishtinë, ku pjesëmarrës ishin rreth 90 persona, përfaqësues të institucioneve shtetërore, organizata të shoqërisë civile, organizata shtetërore dhe jo shtetërore të ALE.
Në konferencë me theks të veçantë u trajtua roli i të mësuarit dhe trajnimit të të rriturve (ALE) si një komponent kyç i të mësuarit gjatë gjithë jetës, që në këtë drejtim rezulton të jetë vendimtar.
ALE luan një rol kyç në vendosjen e përgjigjeve njerëzore të bazuara mbi të drejtat e njeriut, shoqëritë demokratike, parimet etike, mobilizimin e inteligjencës kolektive dhe një dialog të hapur të informuar nga njohuritë ndërdisiplinore.
Në konferencë u prezantuan dhe diskutuan përvojat e suksesshme në promovimin e ALE, duke promovuar organizatat anëtare të Rrjetit të Mësimit të të Rriturve në Kosovë (ALE-NK) dhe bashkëpunimin e tyre me ofrues të tjerë dhe autoritetet kombëtare dhe lokale të ALE në Kosovë. Kështu, u bë një thirrje e përbashkët për rëndësinë dhe rolin e ALE në zhvillimin e agjendës së përbashkët kombëtare dhe lokale për ALE dhe anëtarësimin e mëtejshëm të aktorëve të tjerë të ALE në rrjetin ALE-NK.
Konferenca ishte ngjarje gjithëditore, e mbushur me sesione plenare me të dhëna ekspertësh, moderuar nga znj.Ryve Prekorogja, në të cilën fjalën e parë të rastit e mori ministrja e Arsimit, znj.Arbërie Nagavci. E njëjta shprehu mbështetjen e saj dhe institucionit që drejton dhe mirënjohjen për gjithë kontributin e dhënë për arsimin e të rriturve në Kosovë.
Konferenca vazhdoi me prezantimin e z.Ramadan Alija – drejtor i DVV International në Kosovë, duke vazhduar kështu me prezantime nga përfaqësues të organizatave anëtare të ALE–NK (Rrjeti për arsimin e të rriturve në Kosovë), e që ishin: znj.Ryve Prekorogja nga MASHTI, znj.Jehona Namani Rexha - drejtoreshë në Agjencinë e Punësimit të Republikës së Kosovës, znj. Fikrije Zymberi - u.d. i drejtorit të përgjithshëm të AAAPARr-së, z.Petrit Tahiri - Drejtor i Qendrës për Arsim ( KEC), z.Bajrush Kosumi - përfaqësues i Qendrës Rinore “Hareja” në Vushtrri.
Pjesëmarrës dhe prezantues në konferencë po ashtu ishin z.Naser Zabeli nga Universiteti i Prishtinës dhe z.Ali Bajgora nga Kolegji Europian në Kosovë.
Të gjithë folësit dhanë dhe japin vazhdimisht kontributin e tyre në promovimin dhe zhvillimin e vazhdueshëm për Arsimin e të Rriturve ne Kosovë.
Konferenca të shërbejë edhe më tutje si një platformë komunikimi për pjesëmarrësit nga organizatat anëtare të ALE NK, për të ndarë së bashku edhe më tutje arritjet dhe sfidat në zhvillimin dhe avokimin e mëtejshëm për ALE në nivel kombëtar dhe lokal.
“Dyer të hapura për Arsimimin e të rriturve në Kosovë”- 15 dhjetor 2022
Me moton ” Dyer të hapura për Arsimimin e të rriturve në Kosovë”, organizatat anëtare të Rrjetit ALE-NK hapen dyert e tyre për vizitorët (persona të rritur) nga qytete dhe rajone të ndryshme të Kosovës, të cilët kishin mundësi të informohen për së afërmi me ofertat dhe programet e arsimimit të të rriturve të organizatave anëtare të Rrjetit ALE-NK.
Aktivitetet në kuadër të kësaj ditë u zhvilluan në objektet e Qendrës së Kompetencës (QK) “Shtjefën Gjeçovi” në Prishtinë, QK në Prizren, QK “11 marsi” në Prizren, Agjencisë së Punësimit në Republikën e Kosovës (APRK), Qendrën Rinore “Hareja” në Vushtrri, Kolegjin Evropian të Kosovës (ECK) dhe Qendrën për Arsim të Kosovës (KEC).
Në kuadër të këtyre aktiviteteve u bë prezantimi i profileve arsimore për arsimin e të rriturve, prezantim i broshurave, prezantim i fotografive dhe imazheve të procesit të punës, prezantim i punimeve të nxënësve, promovim i shërbimeve për të rritur në tri QAP, u zhvilluan vizita në kabinetet e trajnimit të QAP, u organizua tryezë debutuese online me temën “Arsimimi online i të rriturve dhe ndërlidhja me tregun e punës”, u organizua tryezë diskutimi me përfituesit nga projektet e KEC për orientim në karrierë dhe shkathtësi të buta, e disa aktivitete të tjera.
Të gjitha aktivitetet u organizuan nga vetë organizatat anëtare të ALE-NK me mbështetje të Dvv International.