U nënshkrua Memorandumi i Bashkëpunimit midis Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) dhe Institutit për Bashkëpunim Ndërkombëtarë të Bashkësisë së Shkollave të Larta Popullore Gjermane (DVV International).
Memorandumi, që në emër të MKRS-së nënshkroi Kujtim Gashi, ndërkaq për DVV International nënshkroi Ramadan Alija, Drejtor Ekzekutiv i zyrës së DVV-së në Kosovë, parasheh rritjen e bashkëpunimit dhe koordinimit të aktiviteteve. Konkretisht, fuqizimi i rinisë, përgatitja e të rinjve për treg pune, nxitja e pjesëmarrjes së të rinjve në të mësuar përmes edukimit jo-formal, mbështetja e vizitave studimore dhe shkëmbimi i përvojave, fuqizimi i rrjeteve dhe qendrave rinore në Republikën e Kosovës janë ndër objektivat dhe aktivitetet që pritet të realizohen përmes këtij dokumenti që do të vlejë deri në fund të vitit 2021.
Me rastin e nënshkrimit ministri Gashi theksoi se përmes këtij dokumenti po hapim rrugën për intensifikimin e aktiviteteve për të rinjtë në Kosovë duke marrë edhe nga përvoja gjermane.
Ndërkaq, përfaqësuesi i DVV International, Ramadan Alija tha se dokumenti që kanë nënshkruar ka zyrtarizuar një bashkëpunim në dobi të të rinjve të Kosovës.