Zyra DVV International ne Kosove në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës në Kosovë, organizuan Javën virtuale të edukimit tërë-jetësor përgjatë ditëve 30 Nëntor deri më 04 Dhjetor 2020.Në të gjitha sesionet e javës ishin pjesëmarrës 683 persona.
Këtë vit, organizimi i Javës së edukimit tërë-jetësor u bë në mënyrë virtuale për shkak të pandemisë globale COVID-19. Andaj, për t’iu përgjigjur sfidave të shkaktuara nga COVID-19 dhe për të identifikuar hapat e mëtejmë për zhvillim, gjatë dhe pas pandemisë, u organizua Java virtuale e edukimit tërëjetësor. Ky organizim solli së bashku akterë të ndryshëm në fushën e arsimit në Kosovë, respektivisht nxënës dhe mësimdhënës, udhëheqës të institucioneve arsimore, politikë-bërës, përfaqësues të organizatave joqeveritare, për të diskutuar çështjet e edukimit tërë-jetësor dhe arsimit për të rritur. Aktivitetet e Javës virtuale të edukimit tërë-jetësor përfshinë konferencën dy ditore, ku në ditën e parë u ftuan përfaqësues të institucioneve për të diskutuar rreth temave që përfshinë arsimin për të rritur dhe edukimin tërëjetësor për zhvillim të qëndrueshëm, qasjet inovative dhe digjitalizimi i arsimit në Kosovë gjatë pandemisë COVID-19 si dhe rreth rëndësisë së teknologjisë në zgjidhjen e problemeve të arsimit për të rritur në kohë pandemie, të gjitha këto tema të ndara nëpër sesione të ndryshme gjatë ditës. Ndërsa në ditën e dytë të konferencës u diskutua rreth njohjes së mësimit paraprak përkatësisht rëndësisë së akreditimit, miratimit dhe njohjes së mësimit paraprak për zhvillim të qëndrueshëm si dhe tema e sesionit të fundit që ishte transformimi digjital i arsimit. Ndërkaq, aktivitetet e mëtejme përfshinë prezantime të hapura për publikun e gjerë rreth aftësive të edukimit në karrierë për jetë, të mësuarit dhe punës në komunitet, rëndësisë së aftësive digjitale dhe sipërmarrëse për jetë si dhe dita e fundit që konsistoi në tri sesione të ndryshme për promovimin e programeve të trajnimit në fushën e teknologjisë së informacionit nga qendrat trajnuese në vend.
Në sesionet e para të Javës virtuale të edukimit tërë-jetësor u ftuan përfaqësues nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Roli i MASH, përkatësisht Divizionit të arsimit dhe aftësimit profesional dhe arsimit për të rritur është vendimtar në hartimin e politikave, planifikimin strategjik, identifikimin e nevojave dhe propozimin e masave të ndryshme për avancimin e arsimit dhe aftësimit profesional dhe arsimit për të rritur.
Për të diskutuar rreth digjitalizimit të arsimit gjatë pandemisë dhe rëndësisë së teknologjisë u ftuan përfaqësues nga Agjencia për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsim për të Rritur (AAAPARr) si dhe përfaqësues nga shkolla profesionale. Tutje, për të dhënë kontributin e tyre në këtë konferencë si akterë të rëndësishëm në fushën e arsimit u ftuan edhe përfaqësues nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, Instituti Riinvest dhe Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës. Folës të ftuar pati edhe nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve për të prezantuar rreth proceseve të verifikimit, validimit dhe akreditimit të kualifikimeve të arsimit dhe aftësimit profesional, me fokus në komponentin e Njohjes së mësimit paraprak (NjMP), për të cilin e ftuar ishte edhe koordinatorja për NjMP nga Qendra e aftësimit profesional në Gjilan.
Në këto sesione te javës u arritën shumë konkluzione dhe rekomandime sic janë :
• Të përshtatet procesi i edukimit duke e theksuar rëndësinë e këshillimit dhe orientimit në karrierë, me fokus të veçantë në arsimin tërë-jetësor, i cili fillon nga mësimi parashkollor e vazhdon gjatë gjithë jetës.
• T’i kushtohet më shumë vëmendje edukimit tërë-jetësor dhe punës vullnetare pasi që kanë rëndësi të madhe në edukimin dhe zhvillimin personal e profesional të të gjithë personave, pa dallim moshe.
• Të vazhdohet trajnimi i të gjithë mësimdhënësve të Arsimit Parauniversitar në Kosovë për programin e ECDL-së, si dhe të monitorohet puna e mësimdhënësve të certifikuar në këtë program.
• Të jetësohet projekti për digjitalizimin e shkollave, duke vënë në prioritet pajisjen e shkollave me mjete të reja në TIK-ut.
• Të krijohet një mekanizëm ligjor për njohjen e vlefshmërisë së certifikatave të ECDL në sistemin e pikëzimit për regjistrim në klasën e X-të dhe për regjistrim në universitet.
• Shkollat të bashkëpunojnë me mësimdhënësit e certifikuar në ECDL për të transmetuar përvojën e tyre tek kolegët e shkollës.
• Shkollat të shfrytëzojnë një pjesë të autonomisë për të integruar ECDL-në në shkollë.
• Për të zvogëluar ndasinë digjitale duhet të krijohen qendra të përbashkëta të qasshme nga komuniteti dhe trajnime sistematike për mësimdhënës dhe shërbyes civil për t’i përvetësuar shkathtësitë e tyre.
• Patenta e ndërmarrësisë nuk duhet të jetë pjesë e kurrikulës vetëm formalisht, por duhet të shtyhet implementimi i saj për shkak të rëndësisë së madhe që ka. Përdorimi i patentës së ndërmarrësisë në sistemin e arsimit në Kosovë do të krijonte një kulturë të ndërmarrësisë në shoqëri duke sjelle përfitime të shumta ekonomike, si për nxënësit ashtu edhe për vendin tonë.
• Të funksionalizohet platforma e-Edukimi që është nën menaxhimin e MASH-it për të mundësuar kyçjen dhe përdorimin e kësaj platforme.