Instituti për Bashkëpunim Ndërkombëtar i Bashkësisë së Shkollave të Larta Popullore Gjermane (DVV International) dhe Agjencia për Arsimin dhe Aftësimin Profesional dhe Arsimin e të Rriturve (AAAPARr), më 10 qershor 2022, kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me qëllim të zbatimit të projektit "Zhvillimi i programeve afatshkurtra (modulare) të arsimit për të rritur dhe përdorimi i këtyre programeve në kuadër të gjashtë Qendrave të Kompetencës (QK) dhe shkollave të mesme profesionale (SHKMP) në Kosovë”.
Zhvillimi i programeve të reja për arsimin e të rriturve (ARr) do të bazohet në një hulumtim të gjendjes paraprake të kapaciteteve teknike dhe profesionale të gjashtë QK-ve dhe tetë shkollave të zgjedhura profesionale nga tetë rajonet kryesore në Kosovë (Prishtinë, Podujevë,
Prizren, Pejë, Ferizaj, Mitrovicë, Gjilan dhe Gjakovë). Gjithashtu, zhvillimi i tyre do të bazohet në standardet e validuara dhe të miratuara nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve (AKK) dhe në harmoni me Kornizën Kombëtare të Kualifikimeve në Kosovë.
Për më tepër, zhvillimi dhe implementimi i këtyre programeve të reja të ARr do të mundësojë rritjen e qasjes gjithëpërfshirëse në programet e arsimit për të rritur, në veçanti për grupet e margjinalizuara, dhe grupet tjera të të rriturve, të larguara nga procesi i arsimit në Kosovë.
Ndryshe, misioni i AAAPARr-së është qe t’i jap një mbështetje të fuqishme zhvillimit të ARr në Kosovë, në përputhje me objektivat e parapara në Planin e ri Strategjik të Arsimit në Kosovë (PSAK) dhe Planin e Veprimit 2022-2026 . Për përmbushjen e qëllimit të saj, AAAPARr synon të arrijë zhvillimin e ARr në lidhje me nevojat e teknologjisë moderne, tregun e punës dhe zhvillimit social të vendit; Sigurimin e partneritetit social në të gjitha nivelet dhe në të gjitha fazat e planifikimit, zhvillimit dhe zbatimit të programeve të ARr; Integrimin e arsimit, aftësimit, dhe punës në këndvështrimin e të mësuarit gjatë gjithë jetës. AAAPARr është në dispozicion dhe fleksibil për të gjithë sistemin e arsimit profesional dhe arsimit për të rritur, në bazë të kompetencës, në funksion të nevojave të çdo individi dhe shoqërisë, si bartës i zhvillimit të ekonomisë së Kosovës dhe rritjes së punësimit.