Instituti për Bashkëpunim Ndërkombëtar i Bashkësisë së Shkollave të Larta Popullore Gjermane (DVV International) dhe Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve (AKK), më 14 korrik 2022, kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me qëllim të zbatimit të projektit “Mbështetja e OQJ-ve për zbatimin e komponentës së NjMP-së në Kosovë”.
Projekti ka për qëllim mbështetjen e organizatave jo-qeveritare për zbatimin e komponentës së Njohjes së Mësimit Paraprak (NjMP) në Republikën e Kosovës. Komponenta e NjMP-së synon të përmirësojë aftësitë e duhura të fuqisë punëtore dhe të rrisë mundësinë e punësimit për individët që zotojnë shkathtësi të fituara gjatë gjithë jetës.
Zbatimi i projektit fillimisht do të bazohet në një hulumtim paraprak, përmes të cilit do të identifikohen organizatat e ndryshme jo-qeveritare që merren me Arsimin për të Rritur (ARr) në Kosovë, me theks të veçantë në identifikimin e kualifikimeve/programeve potenciale për të cilat organizatat në fjalë mund të certifikojnë kandidatët e tyre përmes komponentës së NjMP. Organizatat e përzgjedhura do të kenë një qasje udhëzuese nga AKK dhe gjithashtu, me qëllim të ngritjes së kapaciteteve të tyre, do të organizohen trajnime për sigurimin e cilësisë në zbatimin e NjMP-së.
Ndryshe, DVV International në Kosovë mbështet misionin e AKK-së për zhvillimin e mëtutjeshëm të të mësuarit gjatë gjithë jetës, gjithmonë në përputhje me nevojat e individëve dhe kërkesat e shoqërisë sonë.