Më 29 qershor 2022 është bërë lansimi i “Curriculum globALE” në kuadër të Fakultetit të Edukimit të Universitetit të Prishtinës (UP) “Hasan Prishtina”.
18 pjesëmarrësit në seminarin promovues ishin përfaqësues nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), përfaqësues të Fakultetit të Edukimit, përfaqësues të institucioneve tjera shtetërore dhe ofrues tjerë të ARr, përfaqësues të organizatave donatore, etj.
Dekani i Fakultetit të Edukimit të UP-së, z.Blerim Saqipi ka thënë se koncepti i arsimit për të rritur është koncept që reflektohet në programet e tyre, edhe në mënyrë të tërthortë, dhe se me këtë aktivitet do t’i pasurojnë edhe programet e rregullta, me konceptet të cilat tha se janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e sistemit të arsimit.
Tutje, drejtori i zyrës së DVV International në Kosovë, z.Ramadan Alija, gjatë prezantimit të këtij projekti, ka thënë se “Curriculum globALE” (CG) mbështet profesionalizimin e edukatorëve të të rriturve dhe se duke ofruar qasje ndërkurrikulare, ajo është një kuadër unik referimi për trajnimin e edukatorëve të të rriturve, i cili lehtë mund të adaptohet në mjediset kombëtare dhe rajonale.
Sipas tij, duke mbështetur edukatorët e të rriturve në mbarë botën, CG përmirëson jo vetëm standardin e programeve të mësimit dhe edukimit të të rriturve, por edhe kapacitetet e vendeve për të përmbushur Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm.
Z.Alija ka bërë të ditur se benifitet nga integrimi i CG-së në kuadër të Fakultetit të Edukimit janë: Institucionalizimi i qëndrueshëm i masave të trajnimit që do të ofrohen për edukatorët e ARr në kuadër të UP-së (Fakultetit të Edukimit respektivisht nga Instituti për Kërkimin dhe Zhvillimin e Arsimit – IKZHA); Rritja e cilësisë së ARr përmes Trajnimit të Trajnerëve (Master Trajnerët) që do të zhvillojnë kapacitetet trajnuese brenda vetë ofruesve të ARr; si dhe përmirësimi i performancës së ofruesve të ARr shtetëror dhe jo-shtetëror përmes Qasjes së Zhvillimit të Integruar (IDA).
Profesori në Fakultetin e Edukimit, z.Naser Zabeli ka thënë se kjo kurrikulë u dedikohet institucioneve dhe organizatave në fushën e Arsimit për të rritur që dëshirojnë të plotësojnë standardet profesionale. Sipas tij, kurrikula bazohet në tri shtylla kryesore: programet ekzistuese në kontekst të projekteve të DVV-së; sistemet ekzistuese nacionale të kualifikimeve dhe standardeve për mësimdhënës; si dhe standardet tradicionale të kompetencave për mësimdhënësit e të rriturve, të hartuara nga projektet evropiane.
Ndërkaq, Prodekanja për Studime të Doktoraturës dhe Sigurim të Cilësisë, znj.Majlinda Gjelaj, duke njoftuar për punën e Institutit për Hulumtime dhe Zhvillim në Arsim (IHZHA), ka deklaruar se me këtë projekt po plotësohet edhe misioni i këtij Instituti.
Ndryshe, versioni i fundit i përditësuar i CG u zhvillua së bashku nga: DVV International; Instituti Gjerman për Arsimin e të Rriturve (DIE); Këshilli Ndërkombëtar për Arsimin e të Rriturve (ICAE); Instituti i UNESCO-s për Mësimin gjatë gjithë Jetës (UIL).