Në bashkëpunim me OJQ –KEC (Qendra e Kosovës për Edukim) gjatë muajit Dhjetor 2021, është zhvilluar trajnimi tre-ditor me tematikën “Edukimi për qytetari aktive dhe të drejtat e njeriut”. Qëllimi kryesor i këtyre trajnimeve ka qenë: Ngritja e kapaciteteve të të rinjve dhe të mësimdhënësve nga lëndët shoqërore për t’u njohur me konceptet e qytetarisë aktive dhe të drejtat e njeriut. Përzgjedhja e pjesëmarrësve për këto trajnime është bërë përmes thirrjes së hapur që është publikuar në kanalet zyrtare të komunikimit të KEC dhe rrjeteve sociale. Nga 42 aplikime për të marrë pjesë në këto trajnime, janë përzgjedhur 25 pjesëmarrës të cilët i kanë përmbushur më së miri kriteret e caktuara. Duhet theksuar që grupi ka qenë shumë heterogjen, pra, grup shumë i përzier sa i përket përkatësisë etnike, fetare, gjinore dhe prefesionale. Trajnimi ka qene i organizuar në 10 sesione. Në sesionin e parë, pas fjalëve hyrësve nga ana e përfaqësuesve të KEC dhe DVV International, pjesëmarrësit janë prezantuar dhe kanë treguar rreth punës së tyre dhe përvojës që do të sjellin në këto trajnime. Gjatë këtij sesioni është shfaqur një film i shkurtër për të nxitur debatin rreth respektimit të të drejtave të njeriut dhe parimeve kunder diskriminimit.
Në sesionet 2-9, janë ofruar trajnime për këto tema kryesore:
- Të kuptuarit e qytetarisë aktive;
- Paragjykimet dhe stereotipet kulturore;
- Të drejtat e njeriut;
- Aktivizimi për qytetari aktive;
- Roli i organizatave të shoqërisë civile (OShC) në promovimin e qytetarisë aktive dhe të drejtave të njeriut;
Të gjitha këto sesione janë ofruar përmes aktiviteteve të ndryshme dhe punës në grupe. Për të siguruar shpërndarjen e mëtutjeshme të njohurive, aftësive dhe shkathtësive, sesioni i fundit i trajnimit është fokusuar më shumë në përgatitjet e planeve të ardhshme individuale, ku të gjithë pjesëmarrësit kanë planifikuar detyra specifike për të bërë në vendin e tyre të punës, aty ku e zhvillojnë aktivitetin e tyre ditor. Në fund të trajnimeve është bërë vlerësimi i trajnimit, dhe është plotësuar pyetësori i vlerësimit nga të gjithë pjesmarrësit. Nga të gjeturat e vlerësimeve dhe nga ato që janë thënë gjatë këtij sesioni reflektues, 95% e pjesmarrësve kanë vlerësuar këto trajnime me notën maksimale, dhe mund të konstatojmë që trajnimi ka pasur efekt të madh në ngritjen e njohurive të tyre për qytetarinë aktive dhe të drejtat e njeriut. Pas përfundimit të këtyre trajnimeve, me datën 29 Dhjetor 2021, është mbajtur ceremonia e certifikimit, kur edhe është bërë shpërndarja e certifikatave për të gjithë pjesëmarrësit.