Në kuadër të projektit "Zhvillimi i programeve afatshkurtra (modulare) të arsimit për të rritur dhe përdorimi i këtyre programeve në kuadër të gjashtë Qendrave të Kompetencës (QK) dhe shkollave të mesme profesionale (SHKMP) në Kosovë”, më 21 dhjetor 2022, është mbajtur punëtoria lidhur me procesin e zhvillimit të programeve afatshkurtra (modulare) për profesionet: “Instalimi elektrik” dhe “Ndërtimtari-murator”.
25 pjesëmarrësit në këtë punëtori ishin përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, Shkencës Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), QK-ve dhe SHKPM-ve.
Prezantimi i draft-programit “Instalimi elektrik” u bë nga dy ekspertët e angazhuar nga DVV International për zhvillimin e këtij programi të ri për Arsimin për të Rritur (ARr), znj. Mendohije Krelani-Istogu dhe z. Menderes Veseli. Kurse, prezantimi i draft- programit “Ndërtimtari-murator” u bë nga dy ekspertët tjerë të angazhuar nga DVV International, z. Gëzim Bajraktari dhe z. Arbror Hetemi.
Katër ekspertët shpjeguan mënyrën e hartimit të secilit program veç e veç, duke i kushtuar më shumë vëmendje përmbajtjes së moduleve brenda programit, kohëzgjatjes së programit dhe mënyrës së vlerësimit. Hartimi i këtyre dy programeve bazohet në rezultatet dhe rekomandimet e dala nga hulumtimi i gjendjes paraprake të kapaciteteve teknike dhe profesionale të QK dhe SHKMP, i cili u prezantua më 9 nëntor 2022.
Pas prezantimit të draftit të parë për secilin program, u zhvilluan diskutime në mes të pjesëmarrësve dhe ekspertëve të angazhuar. Madje, u dhanë edhe rekomandime konkrete për të dy programet, disa prej të cilave lidhen me numrin e orëve që duhen mbajtur për modul; moshën e kandidatëve që do të ndjekin kurset për programet e zhvilluara; mbajtjen e më shumë orëve me pjesën praktike sesa teorike; dizajnimin e certifikatave, etj.
Ndryshe, zhvillimi i programeve të reja për ARr në kuadër të projektit i cili implementohet nga Agjencia për Arsimin dhe Aftësimin Profesional dhe Arsimin e të Rriturve (AAAPARr), me mbështetje nga DVV International, do të bazohet në standardet e validuara dhe të miratuara nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve (AKK) dhe në harmoni me Kornizën Kombëtare të Kualifikimeve në Kosovë.