Në kuadër të projektit “Mbështetja e OJQ-ve të cilat merren me arsimimin e të rriturve në Kosovë, përmes akreditimit të tyre për zbatimin e komponentës për Njohjen e Mësimit Paraprak ( NjMP) në Kosovë”, më 22 nëntor 2022, është mbajtur seminari promovues gjatë të cilit është bërë prezantimi i raportit final dhe rezultatet e dalura nga hulumtimi i dedikuar për identifikimin e nevojave të këtyre OJQ-ve.
Në mesin e 24 pjesëmarrësve në këtë seminar informues ishin përfaqësues të OJQ-ve të ndryshme në Kosovë, të cilat merren me arsimimin e të rriturve.
Sipas autorëve të raportit hulumtues, Merita Shala dhe Muhamer Hasani, të gjeturat e hulumtimit do të mbështesin AKK-në dhe palët tjera relevante me informata të nevojshme për identifikimin e OJQ-ve potenciale që merren me ARr, nevojat dhe sfidat e tyre për tu përfshirë në sistemin kombëtar të kualifikimeve.
Shala dhe Hasani theksuan se është shumë relevante përkrahja e ofruesve dhe OJQ-ve lidhur me rritjen institucionale dhe kapacitetet e trajnimit, me qëllim të mbulimit të kërkesës së tregut të punës me individ të aftë dhe me shkathtësi të duhura.
Sipas të gjeturave të hulumtimit, janë disa sfida me të cilat përballen ofruesit që merren me ARr, ndër të cilat më të rëndësishmet janë: mungesa e koordinimit dhe rrjetëzimi i fushave të përbashkëta, si dhe mungesa e fondeve dhe kapaciteteve njerëzore për zbatimin e trajnimeve përkatëse. Hulumtuesit thanë se ofruesit e tillë ballafaqohen edhe me hapësirat dhe pajisjet e nevojshme për të ofruar shkathtësi adekuate të ndërlidhura me kërkesat e punës. Të njëjtit shtuan se ky sektor nuk duhet vlerësuar si barrë për institucionet publike, por si një vlerë e shtuar e sistemit i cili i pajisë me njohuri dhe shkathtësi një pjesë të konsiderueshme të shoqërisë në vend.
Tutje, gjatë këtij seminari informues, ekspertët e angazhuar për trajnim të ofruesve për zbatimin e NjMP, Teuta Danuza dhe Vehbi Neziri, kanë informuar më shumë pjesëmarrësit lidhur me përfitimet dhe përparësitë e ofrimit të NjMP, praktikuesit e së njëjtës, përfshirjen në NjMP, kuadrin ligjor, politikat, bashkëpunimin me sektorët përkatës, etj.
Ndryshe, projekti “Mbështetja e OQJ-ve për zbatimin e komponentës së NjMP-së në Kosovë” implementohet nga AKK, me mbështetje financiare dhe profesionale nga DVV International në Kosovë.