Në bashkëpunim me Shkollat Popullore Gjermane (Volkshochschule-VHS) Pforzheim-Enzkreis dhe Bingen am Rhein, gjatë periudhës kohore 6-10 dhjetor 2022, zyra e DVV International në Kosovë ka organizuar një vizitë studimore në Gjermani për përfaqësuesit nga Komuna e Prizrenit, Komuna e Pejës, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e Kosovës (MASHTI) dhe Agjencia për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsimin e të Rriturve (AAAPARr).
Qëllimi i vizitës studimore e cila u realizua në dy vende, Pforzheim dhe Bingen am Rhein, ishte njohja e 15 pjesëmarrësve me sistemin e Arsimit për të Rritur (ARr) në Gjermani, përkatësisht dhënia e më shumë informacioneve autoriteteve të pushtetit lokal nga Prizreni dhe Peja, si dhe e shembullit të praktikave të mira të Shkollave Popullore nga Gjermania. Kjo do të ndihmojë në procesin e themelimit dhe hapjes së dy qendrave të ARr në Kosovë, përkatësisht në Pejë dhe Prizren, bazuar në modelin gjerman.
Përgjatë këtyre ditëve, pjesëmarrësit vizituan dhe zhvilluan takime në Shkollën e Muzikës në Pforzheim, Shkollën Popullore Pforzheim-Enzkreis, Shkollën Popullore Bingen am Rhein, si dhe Komunën e Bingen am Rhein. Në këtë të fundit ata u pritën nga vet kryetari i komunës në fjalë, z. Thomas Feser.
Gjatë vizitës studimore, pjesëmarrësit diskutuan drejtpërdrejtë me përfaqësuesit e shkollave popullore në Gjermani lidhur me sistemin e menaxhimit të cilësisë së tyre, organizimin e hapësirave arsimore, rrjetëzimin me qendra të tjera arsimore, sistemin e të nxënit dhe të mësimdhënies, etj. Gjithashtu, të njëjtit u takuan edhe me disa mësimdhënës në këto shkolla, me të cilët edhe shkëmbyen përvojat e tyre.
Përfaqësuesit e dy Shkollave Popullore në Gjermani treguan gatishmëri për bashkëpunim me përfaqësuesit e Komunës së Pejës dhe Prizrenit, si dhe ofrimin e ekspertizës në themelimin e dy Qendrave të ARr në Kosovë.
Ndryshe, DVV International në Kosovë është duke bashkëpunuar ngushtë me Komunën e Pejës dhe Komunën e Prizrenit, në themelimin dhe hapjen e dy qendrave të para pilot për ARr në Kosovë, për të zgjeruar fushëveprimin e programeve joformale jo vetëm për masat e punësimit dhe tregut të punës, por edhe për aftësitë më të përgjithshme si p.sh. edukimi financiar dhe dixhital, edukimi politik dhe qytetar, zhvillimi personal, etj.
Qendrat e ARr, të cilat do të themelohen në Pejë dhe Prizren, do të bazohen në përvojat e Shkollave Popullore në Gjermani.